Qeveria Haradinaj në njërën nga mbledhjet | Foto: ZKM

Shkarkohen 10 Drejtorë në Bordet e Ndërmarrjeve Publike

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme shkarkoi dhjetë drejtorë në bordet e ndërmarrjeve publike.

Të shkarkuar, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit janë Naser Canolli, Nuri Bahtijari, Zenun Shala e Brikenda Kryeziu nga Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Aeroporti i Gjakovës, Milosh Dimiq e Nexhat Dedia nga Bordi i “Infrakos”-it, Bujar Hasimi nga Bordi i “Trainkos”-it dhe Drita Konxheli, Musa Misini e Anita Cucoviq nga Bordi i KOSTT-it.

Shkarkimi i këtyre personave nga pozitat e tyre në borde të ndërmarrjeve publike është bërë pas një shkrese të pranuar në qeveri nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Agjencia Kundër Korrupsionit, sipas komunikatës kishte rekomanduar shkarkimin, ngase sipas saj këta persona ishin emëruar nëpër borde në kundërshtim me dispozitat ligjore.

“Bazuar në këtë shkresë Agjencia Kundër Korrupsionit ka vërejtur se për drejtorë të shumë Ndërmarrjeve Publike Qendrore janë emëruar persona të cilët bazuar në dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike nuk mund të ushtrojnë një funksion të tillë”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Shkarkimi është bërë edhe për të respektuar Agjendën për Reforma Europiane.

Sipas komunikatës me këtë agjendë kërkohet “sigurimi i një procesi të përzgjedhjes që është transparent, i bazuar në merita dhe jopolitik, në harmoni me ligjin, për të gjitha institucionet e pavarura, agjencitë dhe organet rregullative, si dhe në kompani publike”.

Gjithashtu kjo agjendë kërkon edhe “zbatimi i plotë i rekomandimeve nga Agjencia Kundër Korrupsionit”.

Dokumentit ERA (Agjenda për Reforma Evropiane) është aprovuar në Qeveri dhe është proceduar në Kuvend vitin e kaluar.