ShKA ‘Agimi' Fillon Provat

Nga shtatori pritet të fillojnë provat e para të seksioneve artistike të ShKA ‘Agimi’.

Kryesia e Shoqatës Kulturore Artistike ‘Agimi’ dhe udhëheqësit e seksioneve artistike sot u takuan në kinemanë Lumbardhi për t’i diskutuar detajet përfundimtare para fillimit të provave të seksioneve artistike, në përgatitje të aktivitetit koncertal.

Kryesia e ShKA Agimit ka kënaqësinë t’i njoftojë të gjithë të interesuarit se provat fillojnë nga java e parë e muajit shtator.

Të gjithë anëtarët duhet të paraqiten në provat e para të seksioneve artistike që mbahen në Kinemanë Lumbardhi në këto data:

– Kori nën udhëheqjen e Fikrim Emrës, prova e parë më 8 shtator (e premte) në orën 19.00

– Okteti nën udhëheqjen e Besim Berishës, prova e parë më 11 shtator (e hënë) në orën 19.00

– Folklori nën udhëheqjen e Luljeta Brahës, prova e parë më 12 shtator (e martë) në orën 18.00

– Drama nën udhëheqjen e Xhevdet Dodës, prova e parë më 13 shtator (e mërkurë) në orën 19.00

– Orkestri nën udhëheqjen e Kastriot Markut, prova e parë më 14 shtator (e enjte) në orën 19.00

– Veteranët nën udhëheqjen e Mazllom Karamanit, prova e parë më 15 shtator (e premte) në orën 18.00.

Gjatë provave të para të seksioneve, anëtarët do të njoftohen me orarin javor të provave nga udhëheqësit e seksioneve artistike.

Në takimin e sotëm u kompletua edhe Kryesia e ShKA Agimit që doli nga Kuvendi i Anëtarëve i 20 Majit 2017. Me propozimin e udhëheqësve të seksioneve artistike në bashkëpunim me Drejtorin Artistik, dy anëtarët e ri të Kryesisë u emëruan Fikrim Emra dhe Luljeta Braha. Me këtë veprim, është përmbushur obligimi statutar për kompletimin e Kryesisë së ShKA Agimit me shtatë anëtarë (anëtarët e tjerë të Kryesisë janë: Besim Berisha, Agnesa Çipa Laçi, Arben Mashkulli, Flaka Xërxa dhe Arbëreshë Berisha).