Audi Q7 e Komunës së Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Shitet Audi Q7- Makina e Vozitur nga Isa Mustafa

Makina “Audi Q7” e blerë për ish-kryetarin e Prishtinës Isa Mustafa dhe e papërdorur nga pasardhësi i tij në këtë pozitë Shpend Ahmeti, është shitur sot nga Shtëpia e Ankandeve “Kosova”.

Kjo shtëpi ka thënë për KALLXO.com se makina është shitur rreth 23 mijë euro.

“Audi Q7” ishte nxjerrë në ankand edhe të shtunën e kaluar nga kjo shtëpi dhe Komuna e Prishtinës.

Pas shitjes së “Audi Q7”, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti reagoi në Facebook.

“Një veturë e shtrenjtë përfaqësonte çdo gjë që nuk na duhet në sektorin publik. E shtrenjtë, me xhama të zi për t’u barikaduar dhe me 26 litra shpenzime. Në mënyrë simbolike paratë nga shitja do t’i përdorim për me të rrezikuarit e komunës tonë”, shkroi Ahmeti.

Ai konstatoi se shitja duhet të merret si mesazh që vetura të tilla të mos blihen më.

Kjo veturë luksoze e prodhuar në vitin 2011 ishte blerë nga Komuna e Prishtinës për 76 mijë euro.

Në kohën e fushatës për zgjedhjet lokale 2013, kandidati i atëhershëm për kryetar të Prishtinës Shpend Ahmeti kishte premtuar se nuk do ta përdorte këtë veturë, duke thënë se do ta shiste.

Në shtator të vitit të kaluar kur Shpend Ahmeti tashmë kishte bërë dy vjet në pozitën e të parit të kryeqytetit, KALLXO.com kishte shkruar se makina “Audi Q7” ende ndodhej në garazhin e komunës, edhe pse edhe më herët ishte provuar të shitej.

http://kallxo.com/audi-q7-e-mustafes-ende-ne-garazhin-e-komunes/