Shfaqja Muzikore e Serbëve të Kosovës ‘Ringjall’ Slobodan Milosheviqin

Një shfaqje muzikore e vënë në skenë nga një ansambël serb i teatrit nga Kosova rreth luftës së vitit 1999 dhe marrëdhënieve serbo-shqiptare do ta paraqesë ish Presidentin e vdekur serb, Slobodan Millosheviq si “protagonist tragjik”.

Teatri kombëtar serb nga Prishtina tha se ka në plan të tregojë historinë e jetës në Kosovë në formën e një shfaqje muzikore që paraqet ish liderin e fuqishëm jugosllav Slobodan Millosheviq dhe gruan e tij Mira Markoviq. Shfaqja do ta ketë premierën në mars.

“Kjo nuk është vetëm një shfaqje për Sllobodanin dhe Mirën, është para së gjithash për njerëzit që jetojnë atje [në Kosovë],” tha regjisori Nenad Todoroviq.

Shfaqja muzikore nga teatri i drejtuar nga serbët, i cili u zhvendos në Graçanicë më 1999, po përgatitet në Teatrin Kombëtar serb në Beograd.

Todoroviq tha për BIRN se pjesa e parë e shfaqjes muzikore, e titulluar ‘Ashensori’, do të bashkojë jetën e familjes së Millosheviqit me jetën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë mes tensioneve në rritje në vitet 1990.

Në pjesën e dytë, shfaqja do të shndërrohet në një “tragjedi racine-esque”, në të cilën Millosheviqi mbrohet nga akuzat për krime lufte në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë.

Millosheviq vdiq nga një sulm në zemër në qelinë e tij në Hagë në mars të vitit 2006, përpara se të jepej vendimi i gjykatës.

Ndërsa po përgatitej të drejtonte shfaqjen, Todoroviq tha se lexoi dhjetëra mijëra faqe të dokumenteve gjyqësore nga Tribunali i Hagës. Ai tha se ato përmbanin “akuza relativisht idiotike”, si dhe “prova të qarta për krime të rënda”.

“Pas hulumtimit tim, personalisht e konsideroj Millosheviqin thjesht si një politikan të zgjuar, i cili donte të ishte në pushtet dhe u kap në rrethana historike të cilat i ndihmoi të përshpejtoheshin, por të cilat do të kishin ndodhur pa të”, tha Todoroviq.

Ai tha se e sheh ish-presidentin si një “protagonist tragjik” i cili ose mund të përshkruhet si “kasap i Ballkanit” ose si viktimë e rrethanave, por ai shtoi se shfaqja nuk do të përpiqet të përgjigjet në pyetjen se kush ishte Millosheviqi.

Ai beson se Millosheviqi personifikonte atë që serbët donin si komb në vitet 1990, e cila ai tha se ishte “ta reformonin” Jugosllavinë dhe të merrnin statusin që e kishin në Mbretërinë e Jugosllavisë, para Kushtetutës së vitit 1974, e cila i dha më shumë autonomi qeverive të krahinave të Kosovës dhe Vojvodinës.

“Kjo ishte padyshim e pamundur dhe çmimi më i madh i kësaj politike u pagua nga popullata, përfshirë edhe ne, serbë nga Kosova”, tha ai.

Ai tha se beson se popullsia serbe e Kosovës tani jeton në “aparteidin e fundit europian”, të izoluar në enklava dhe shqetësohet se fëmijët e tyre do të dëgjohen duke folur serbisht në dyqanet shqiptare.

Todoroviq tha se nuk pret ndonjë reagim nga shqiptarët e Kosovës në portretizimin e Millosheviqit.

“Që kur na larguan nga Prishtina në vitin 1999, ne nuk kemi komunikuar… autoritetet e Prishtinës, publiku dhe intelektualët na injorojnë, prandaj nuk pres ndonjë reagim”, shpjegoi ai.