Shfaqet Premiera e Filmit të BIRN mbi Shkëmbimet e Shtëpive Gjatë Luftës

Dokumentari i ri i BIRN “Shtëpia jote ishte e imja”, që tregon se si lufta detyroi fshatarët në Serbi dhe Kroaci të shkëmbenin shtëpitë me njëri-tjetrin për të shpëtuar jetët e tyre, ka premierën e tij të martën në Al Jazeera Balkans.

“Shtëpia jote ishte e imja”, që na tregon se si serbët dhe kroatët nga Kula në Kroaci dhe Hrtkovci në Serbi shkëmbyen shtëpitë dhe u shpërngulën në fshatrat e njëri-tjetrit pas shpërthimit të luftës në vitin 1991, do të ketë premierën e tij televizive në Al Jazeera Balkans të martën në orën 17:05 me orën vendase.

Dokumentari 30 minutësh ndjek historitë e dy banorëve të fshatrave – Goran Trlaiç, i cili u largua nga Kula për në Hrtkovci dhe Stjepan Roland, i cili u largua nga Hrtkovci për në Kula.

Para konfliktit të viteve 1990, Kula popullohej kryesisht nga serbët, ndërsa shumica e njerëzve në Hrtkovci në Serbi ishin kroatë.

Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ata kishin jetuar në paqe së bashku – deri në zgjedhjet e para shumëpartiake në vitin 1990, kur nacionalistët erdhën në pushtet dhe pakicat nuk ishin më të mirëpritura në asnjë republikë.

Një sërë kërcënimesh dhe incidentesh të dhunshme nisën një reaksion zinxhir, ndërsa një numër gjithnjë e më i madh banorësh të Kulës dhe Hrtkovcit shkëmbyen pronat në mënyrë që të mund të shpëtonin.

Kjo u përshkrua nga zyrtarët si “zhvendosje njerëzore”, por në të vërtetë ishte një shkëmbim i detyruar popullsie në mes të një lufte.

“Nuk ka pasur kurrë ‘zhvendosje njerëzore’ përveçse në mendjet e liderëve nacionalistë dhe politikave të tyre shkatërruese në vitete 1990 në ish-Jugosllavi,” tha regjisori i dokumentarit, Janko Baljak.

“Zhvendosjet e këtij lloji u kryen me forcë dhe lanë pasoja të paimagjinueshme në jetën e njerëzve dhe në marrëdhëniet midis kombeve që jetonin në paqe dhe harmoni para luftës,” shtoi ai.

Kujtimet personale në “Shtëpia jote ishte e imja” tregojnë se si ky shkëmbim i detyruar i popullsisë pati një efekt shkatërrues afatgjatë në jetën dhe marrëdhëniet e njerëzve të zakonshëm nga të dy fshatrat, tha Baljak.

“Detyra dhe detyrimi i realizuesit të dokumentarit është një luftë e vazhdueshme kundër kujtesës afatshkurtër,” tha ai.

Shikoni më shumë informacione për filmin këtu.