Sheshi i Drenasit pa Mirëmbajtje (TV)

Drejtori i shërbimeve publike Sokol Krasniqi thotë se kompania nga Klina e ka për obligim që të mbjellë fidane në parkun e qytetit, por edhe ta mbajë pastërtinë në shesh.

Një faj të madh në dëmtimin e sheshit, sipas Krasniqit e kanë edhe qytetarët të cilët janë të pakujdesshëm.

“Hedhin fara, dëmtojnë ulëset dhe është shumë e vështirë të mbahet ashtu si duhet”, thotë drejtori Krasniqi.

Sherif Bytyqi, pronar i kompanisë “Fidanishtja Bytyqi”,  fituese e këtij tenderi në vlerë prej 10 mijë eurosh, tha se interesi i tij ka qenë vetëm shitja dhe mirëmbajtja e fidaneve, porse tenderi ka përfshirë edhe aktivitete tjera, për të cilat kompania e tij nuk është e specializuar, siç është pastrimi, kositja e barit etj.

Sipas tij, punëtorët e kompanisë vijnë çdo 3-4 ditë për ta pastruar sheshin dhe që t’i ujisin drunjtë, por sipas tij komuna nuk është duke i kryer pagesat me kohë.
 
“Ka 3 muaj që i kam mbjellë të gjithë drunjtë në këtë shesh dhe ende nuk kam marrë asnjë cent. Unë kam harxhime për t’i sjellë punëtorët nga Klina në Drenas, për ta mbajtur këtë punë”, thotë Sherif Bytyqi.

Bekim Dobra zëdhënës i Komunës së Drenasit thotë se vonesa e pagesës për këtë kompani ka ndodhur për shkak të rishikimit të buxhetit.

“Pritet që brenda kësaj jave të barten paratë në llogarinë e kompanisë”, thotë Dobra.

Fidanishtja ka pranuar një kërkesë të komunës për të punësuar një djalë me aftësi të kufizuara dhe me gjendje të rëndë sociale.

Gazeta Jeta në Kosovë ka përcjellë për 10 ditë rresht mirëmbajtjen e sheshit të Drenasit dhe përveç punëtorit me aftësi të kufizuara nga Drenasi, i cili mbledh mbeturinat e hedhura në shesh, nuk ka ardhur asnjë punëtor tjetër.

Fidani, i cili nuk deshi të flasë para kamerës, tha se zakonisht punon vetëm.

“Ata të Klinës vijnë shumë rrallë, veç mu mi lanë krejt punët, edhe kur të vijnë thonë s’po punon”, tha Fidani.