Vojisllav Shesheli gjatë një proteste në mbështetje të Donald Trump vitin e kaluar. Foto: BETA.

Sheshel: Nuk Kthehem në Hagë

Vojisllav Shesheli, kreu i Partisë Radikale Serbe, tha sot se nuk do të kthehet vullnetarisht në Gjykatën e Hagës dhe se gjykata e krimeve të luftës nuk ka autoritet t’i caktojë atij një avokat mbrojtës pa lejen e tij, siç ajo është zotuar të bëjë.

Shesheli, lirimi i të cilit nga akuzat për krime lufte po apelohet nga prokuroria, tha për mediat serbe se Gjykata mund t’i caktojë atij vetëm një “avokat përfaqësues” që s’ka të drejtë të flasë në emër të tij.

“Isha në dispozicion të Gjykatës së Hagës për 12 vjet dhe ata nuk mundën të më dënonin,” tha Shesheli, sipas agjencisë së lajmeve Beta.

Ai riafirmoi se nuk do të kthehet në paraburgim, vetëm në rast se “ekstradohet nga regjimi qeverisës i Partisë Progresive dhe presidenti Serb Aleksandër Vuçiç”.

Gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Hagë e paralajmëroi Sheshelin të hënën se nëse ai nuk paraqitet për seancat e tij të apelit, pasi nuk mori pjesë në dhënien e vendimit në gjyqin e tij, ajo do t’i caktojë atij një avokat mbrojtës, dëshiron apo jo ai.

Gjykata e Hagës e liroi atë nga akuzat në mars për krime lufte në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe rajonin serb të Vojvodinës.

Ai u shpall i pafajshëm për përndjekje, dëbim, torturim, shkatërrim dhe plaçkitje në periudhën prej gushtit 1991 deri në shtator 1993.

Shesheli ka qenë në Beograd që nga lirimi i përkohshëm i tij nga paraburgimi në Hagë në nëntor të vitit 2014 pasi u lirua për t’u kuruar nga kanceri.

Ai më pas iu rikthye jetës politike në Serbi dhe u zgjodh anëtar i parlamentit.

Ai nuk u paraqit për vendimin në gjyqin e tij dhe është zotuar vazhdimisht se s’do të kthehet kurrë në Hagë.

Shesheli talli gjithashtu gjykatën e OKB-së duke veshur rrobën e një gjyqtari dhe duke dhënë “vendime” në një program televiziv në televizionin pro-qeveritar TV Pink të shtunën.