Shërbime Stomatologjike Falas për 5,000 Nxënësit Deçanas

Mbi 5,000 nxënës të 20 shkollave të komunës së Deçanit nga sot do të kenë mundësi t’i kryejnë shërbimet stomatologjike falas në Qendrën e Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Kurimi i problemeve shëndetësore orale të nxënësve është mundësuar nga menaxhmenti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të Deçanit në kuadër të një projekti të mbështetur nga institucionet komunale.

Sipas drejtorit të QKMF-së, Selmon Berisha, ky projekt përveç për nxënësit do të jetë i dobishëm edhe për prindërit e tyre, të cilët nuk do të shpenzojnë para për këto shërbime për fëmijët e tyre.

“Ne sot kemi filluar me projektin dhe me siguri e keni parë në ambulancë aty që gjendja e fëmijëve nuk është e mirë, mjerisht. Ky projekt do na kërkon kohë mirëpo ne jemi të vendosur që projektin ta zhvillojmë deri në fund. Do jetë gratis për të gjithë fëmijët që nga klasa e parë deri vitin e katër të shkollës së mesme”, tha Berisha për KALLXO.com

Selmon Berisha tha se QKMF ka 4 stomatologë, të cilët do të punojnë në dy ndërrime.

Ai beson se ky numër është i mjaftueshëm për t’u kryer shërbime të gjithë nxënësve të kësaj komune.

Kurse,  nxënësit e klasës së shtatë të shkollës fillore “Rexhep Kadrijaj” të Rastavicës ishin të parët që u kontrolluan nga stomatologët.

Kujdestari i klasës, Adem Lushaj, tha se i vjen mirë që institucionet shëndetësore po interesohen për shëndetin oral të nxënësve.

“Ishte një kontroll i përgjithshëm, por edhe trajtim, sepse kishte nxënës që kishim trajtuar edhe shërimin e dhëmbëve, kishte nxjerrje të dhëmbëve por edhe pastrim. Ne si kujdestarë klase e kemi përkrah dhe përshëndet dhe do të përkujdesemi që nxënësit tanë të vijnë në vazhdimësi për kontroll”, tha Lushaj për KALLXO.com.

Implementimi i këtij projekti pritet të kapë koston 30 mijë euro për materialet stomatologjike njoftojë Selmon Berisha, drejtor i QKMF-së.

Ai tha së këto mjete janë ndarë nga buxheti i Qendrës së Kryesore të Mjekësisë Familjare të Deçanit.

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi për mosfunksionimin e Poliklinikës së Stomatologjisë në Pejë për shkak se gypat e ujit ishin ngrirë.

http://kallxo.com/ngrihen-gypat-e-ujit-stomatologjia-jashte-funksionit/