Shefqet Krasniqi Shpjegon Borxhin e Biznesit të Tij Ndaj ATK-së

I akuzuar për shtytje në kryerjen e veprave terroriste dhe  shmangie nga tatimi, ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi ka paraqitur sot mbrojtjen e tij para Gjykatës.

Pasi ka treguar për përmbajtjen e ligjëratave të tij në xhami, nëse ka bërë thirrje që të shkohet në luftën e Sirisë si dhe për profilin e tij në “Facebook”, hoxha Shefqet Krasniqi është pyetur edhe rreth akuzës që ka të bëjë me shmangien e tatimit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Sevdali Zejnullahu, i pandehuri tha se edhe hetuesisë edhe Prokurorisë ua ka bërë me dije se është e vërtetë që ndërmarrja “Portat” ka qenë në emrin e tij dhe se ai nuk e kishte menaxhuar atë por i autorizuari i tij, Osman Kryeziu.

“Dhe për këtë kemi sjellë dëshmi të ndryshme dhe sa i përket asaj që na obligohet Zoti mos e dhashtë mos me i kry obligimet tona dhe për atë i kam kërkuar që të jemi vigjilentë ndaj obligimeve ndaj shtetit dhe falë Zotit çdo gjë ka shkuar në rregull. Dhe, pas arrestimit tim hetuesit tatimorë kanë bërë kontroll në kompaninë time dhe çdo gjë ka dalë zero-zero”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se krejt çka ka ndodhur në fund të mandatit të mbylljes apo pak ditë para skadimit të mandatit të hetuesisë (afatit të hetimit) në atë kohë apo pak kohë përpara kontabilisti ka bërë kërkesë në ATK për të parë se çka ka obligime për mbylljen e biznesit, “sepse kam dashtë me mbyll”.

http://kallxo.com/shefqet-krasniqi-ka-shume-profile-ne-facebook-emrin-tim/

“Ka rezultu me një borxh prej 12 mijë e diçka euro dhe më është dhënë afat ta paguaj dhe e këtë ia kam bërë me dije edhe prokurorit”, theksoi Shefqet Krasniqi.

Në fund të seancës, mbrojtësi i Shefqet Krasniqit i ka paraqitur Gjykatës dëshminë për kryerjen e obligimeve tatimore që janë përmendur në aktakuzë.