Shefi i UNMIK-ut: Do të Jemi Këtu aq sa do Këshilli i Sigurimit

Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë Zahir Tanin deklaroi se jetëgjatësia e misionit të UNMIK-ut nuk varet nga institucionet e Kosovës, por nga Këshilli i Sigurimit.

“Puna dhe prezenca e UNMIK-ut është vendim i Këshillit të Sigurimit dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu, kështu që ne jemi këtu që t’ju ndihmojmë për aq kohë sa Këshilli i Sigurimit do që ne të jemi këtu”, tha Tanin.

Ai deklaroi se UNMIK-u është në Kosovë për t’i kontribuuar paqes.

“Kemi qenë këtu që nga fillimi dhe jemi këtu që të punojmë ngushtë se si të kontribuojmë në paqe, stabilitet dhe siguri, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë KFOR, BE dhe EULEX”, tha ai.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, e arsyetoi takimin me shefin e UNMIK-ut në komision me fjalët se ky komision ka kompetenca për t’u marrë me politikën e jashtme.

“UNMIK-u e ka atë rol çfarë e ka në bazë të Rezolutës 1244 dhe i përgjigjet drejtpërdrejt Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe në kuadër të kësaj besoj që ne si komision parlamentar meqë e kemi obligim të merremi me politikat e jashtme është në kuadër të kompetencave dhe mandatit tonë”, tha Reçica.

Ndërsa anëtarja e këtij komisioni nga Vetëvendosje, Puhie Demaku konstatoi se UNMIK-u tashmë është i panevojshëm.

“Shqetësimi tjetër që unë e kam ngritë ka qenë edhe kërkesa e Ministrisë së Jashtme për përmbylljen e këtij misioni, është thënë që fillimisht do të reduktohet e më pas përmbyllet. Këtu është shpërfaqur edhe njëherë jo sinqeriteti i institucioneve tona, ku ka dalë se një gjë të tillë, domethënë reduktimin dhe përmbylljen mund ta bëjë vetëm Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara”, tha ajo.

Ky takim ishte i mbyllur për media.