Driton Gashi, drejtor i AKI-së

Shefi i AKI-së Nuk Del Para Deputetëve në Komision

Shefi i Agjensionit Kosovar për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, sot nuk është paraqitur para anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së për një takim njoftues me ta.

Kryetarja e Komisionit, Donika Kadaj- Bujupi tha se tre minuta para fillimit te komisionit janë njoftuar nga shefi i AKI-së, Driton Gashi se nuk do te vijë në takim.

“Realisht ishte një veprim joligjor nga ana e drejtorit të AKI-së i cili vetëm 3 minuta para fillimit të komisionit na njoftoi se nuk do të marrë pjesë në takimin njohës i cili parashihet me Kushtetutë dhe ligj”, tha Kadaj-Bujupi.

Kryetarja e Komisionit tregoi se nuk është dhënë arsye për mosardhjen e Gashit por vetëm njoftim nga ana e tij.

Sipas saj, veprimi i drejtorit të AKI-së është neglizhencë dhe mosrespektim i Kuvendit dhe i ligjit.

“Ne do ta thërrasim përsëri në raportim ashti siç parashihet me ligj. Mirëpo kjo nuk është një shenjë e mirë dhe një fillim i mbarë për një institucion”, tha Kadaj- Bujupi.

Ky takim ishte takimi i parë njoftues mes legjislaturës së re dhe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi.