Ramush Haradinaj dhe Jamie Shea - Foto: Facebook

Shea: KFOR në Kosovë Sa të Keni Nevojë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Zëvendës Ndihmësin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat e reja të sigurisë, Jamie Shea, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon.

Ai theksoi rolin e rëndësishëm të NATO-s në garantimin e paqes dhe të sigurisë dhe e vlerësoi forcën paqeruajtëse KFOR si një partner të rëndësishëm në Kosovë.

Ai tha se Forca e Sigurisë së Kosovës e mbështetur nga NATO në çdo periudhë të ndërtimit të saj bazuar në standardet më të larta dhe mbi parimin e gjithëpërfshirjes, ka përmbushur kapacitet operative drejt transformimit në Forcën e Armatosur në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.

Haradinaj, po ashtu, theksoi se e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në BE si dhe një vend anëtar i OKB-së.

Sipas tij, Kosova ka nisur një dinamikë të re të brendshme në fushën e sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik, por njëkohësisht është angazhuar me përkushtim në përmbushjen e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, duke përshpejtuar rrugën drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Ai tha se është i rëndësishëm konsolidimi ndërkombëtar i vendit, me theks të veçantë anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, në UNESCO dhe INTERPOL.

Nga ana e tij, Shea duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për detyrën, tha se NATO-ja dhe Kosova kanë një lidhje të fortë prej shumë vitesh dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të përparimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

Ai tha se KFOR-i do të vazhdojë të jetë i pranishëm për aq sa do të ketë nevojë Kosova dhe e vlerësoi forcën paqeruajtëse si një garantues të paqes në vend./21Media