Sot në ShBA po mbahen zgjedhjet presidenciale. Ambasada amerikane ka organizuar pritje për këtë ngjarje - Foto: KALLXO.com

ShBA Zgjedh Presidentin e Ri

Nën masa të shtuara sigurie, jashtë patrullim policie e njësi speciale, brenda skanerë, ka nisur pritja e organizuar nga Ambasada amerikane në Kosovë për zgjedhjet presidenciale të ShBA-së, ku në garë janë gjashtë kandidatë, por dy kryesorët janë demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump.

Në një skenë të zbukuruar me flamuj amerikanë, ambasadori Greg Delawie ka përshëndetur të pranishmit, në mesin e të cilëve edhe drejtues të institucioneve vendore dhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Ambasadori Delawie tha me këtë rast se sonte nuk do të dihet saktë se kush do të jetë fituesi, sepse rezultatet e para do të dalin në orët e mëngjesit. “Por sonte do të festojmë bashkë për vlerat demokratike”, tha ai.

Në mesin e të pranishmëve në këtë pritje të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara janë edhe ish-presidentët e Kosovës, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga e Behxhet Pacolli, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ajo e Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova, drejtues të institucioneve qendrore të Kosovës, zyrtarë të partive politike, përfaqësues të mediave dhe organizatave të ndryshme.

E pranishme në këtë pritje, ish-presidentja Atifete Jahjaga tha për KALLXO.com se e mbështet Hillary Clintonin, “si grua që më ka inspiruar në politikë dhe si familje që kanë bërë shumë për Kosovën”.

Zgjedhjet presidenciale ne SHBA foto KALLXO 002 Zgjedhjet presidenciale ne SHBA foto KALLXO 003

Ndryshe, në garë për president të Shteteve të Bashkuara janë gjashtë kandidatë: Hillary Clinton (Partia Demokratike), Donald Trump (Partia Republikane), Gary Johnson (Partia Libertariane), Jill Stein (Partia e Gjelbër), Darrell Castle (Partia e Kushtetutës) dhe Evan McMullin (i pavarur).

Hulumtimet e fundit parazgjedhore e nxjerrin kandidaten demokrate në epërsi të lehtë ndaj kandidatit republikan.

Kandidati që do të zgjidhet do ta zëvendësojë demokratin Barack Obama, i cili është në fund të mandatit të tij të dytë si president i ShBA-së.