MIllorad Dodik

ShBA Sanksionon Dodikun për Pengim të Marrëveshjes së Dejtonit

Thesari i SHBA-së ka sanksionuar presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, për pengimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës nga viti 1992 deri në vitin 1995 duke sfiduar urdhrat e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Jashtme e Thesarit, OFAC, konfirmoi se kishte shtuar Dodikun në listën e personave të sanksionuar të martën “për rolin e tij në sfidimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës në kundërshtim me sundimin e ligjit, duke penguar kështu në mënyrë aktive Marrëveshjen e Dejtonit”.

“Duke penguar Marrëveshjen e Dejtonit, Milorad Dodik paraqet një kërcënim të rëndësishëm për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës,” tha John E. Smith, drejtori i komanduar i OFAC.

“Veprimi i sotëm thekson angazhimin e SHBA-së ndaj Marrëveshjeve të Dejtonit dhe mbështet përpjekjet ndërkombëtare për integrimin e vazhdueshëm europian të vendit,” shtoi ai.

Sanksioni nënkupton se çdo pronë e Dodik apo interes në pronë në pronësi të ndonjë shtetasi amerikan ose brenda juridiksionit të Shteteve të Bashkuara është bllokuar.

Shtetasve amerikanë gjithashtu e kanë të ndaluar të kryejnë transaksione me të.

Këshilltari Dodik, Aleksander Vranjes, iu përgjigj lajmit duke thënë për mediat: “Ky është një veprim i dëshpëruar nga administratat e Shteteve të Bashkuara që është në largim e sipër. Duke marrë parasysh së administrata e re ka treguar vullnet të mirë, mund të presim që ai do të hiqet nga lista.”

Përcaktimi u bë në përputhje me një urdhër ekzekutiv të firmosur nga presidenti George W. Bush në vitin 2003, që autorizon sanksionet kundër “personave të vendosur të kenë penguar në mënyrë aktive ose që përbëjnë një rrezik të madh se do të pengojnë në mënyrë aktive Marrëveshjen e Dejtonit,” tha ambasadorja amerikane në Bosnjë , Maureen Cormack, në një deklaratë të përbashkët me video të shpërndarë nga ambasada në Twitter.

“Milorad Dodik ka sfiduar Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, ka shkelur sundimin e ligjit dhe përbën një rrezik të madh për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit,” shtoi ajo.

Më 9 janar Dodik organizoi festimet për një festë publike të quajtur Dita e Republikës Srpska, e cila ishte ndaluar nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

Në shtator ai mbajti gjithashtu një referendum për të marrë mbështetjen publike për këtë festim, gjë e cila ishte ndaluar gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese duke u bazuar në faktin se festa kishte lidhje me një festë në kalendarin e Kishës Ortodokse Serbe dhe për këtë arsye ishte diskriminuese kundër jo serbëve që jetonin në entitet.

Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Serbisë, tha se kishte shumë pak gjasa që Serbia të ndiqte lëvizjet e Shteteve të Bashkuara kundër Dodikut.

“Qeveria është ajo që e merr këtë vendim, por nuk di si t’ju përgjigjem. Të themi që Serbia ka konfiskuar asetet e presidentit të Republikës Srpska dhe se nuk do ta lejojmë atë të vijë në Beograd, kjo nuk është aspak e vërtetë dhe nuk ka për të ndodhur,” tha Vuçiq për televizionin publik serb RTS.