Ilustrim

SHBA Ndan më Shumë Para në Armët e Ballkanit për Sirinë

Vala e blerjeve e armëve nga Ballkani për t’i pajisur rebelët sirianë duket se nuk ka të ndalur, pasi janë shfaqur planet e SHBA-së për të blerë edhe 25 mijë kalashnikovë më shumë dhe 20 milionë plumba.

Pentagoni është duke planifikuar t’i shpenzojë 162.5 milionë dollarë amerikanë në armë, municione dhe pajisje tjera në vitin 2019 për t’i armatosur forcat sirianë që luftojnë kundër Shtetit Islamik, ISIS, zbulon një raport i buxhetit i publikuar së fundmi.

Shuma vjen si shtesë e 2.2 miliardë dollarëve të caktuara tashmë nga SHBA për armë të shteteve të bllokut të Lindjes për luftëtarët sirianë- të cilën BIRN e kishte zbuluar në një hulumtim shtatorin e vitit të kaluar.

Operacioni i armatimit të rebelëve sirianë që gjenden në luftime me armë dhe municione nga blloku i Lindjes, i njohur si programi për Trajnim dhe Pajisje për Sirinë, deri tani ka rrjedhur gati tërësisht nga Ballkani dhe Europa Qendrore, një trend që me gjasë do të vazhdojë edhe gjatë viteve 2018 e 2019.

Detajet e reja të shpenzimeve janë shfaqur derisa Al Jazeera English transmetoi hulumtimin “Armët e Amerikës- Gypi Drejt Sirisë”, një hulumtim i përbashkët me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, dhe Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, OCCRP.

Hulumtimi gjeti dëshmi tjera se armët po rridhnin nga Ballkani për projektet ushtarake të Pentagonit drejt Lindjes së Mesme.

BIRN gjurmoi më shumë se 20 fluturime të aranzhuara nga Pentagoni që niseshin nga aeroporti i ishullit Krk në Kroaci, e që dërgonin pajisje të paidentifikuara drejt bazave amerikane, shumica në Lindjen e Mesme.

Modeli i këtyre transporteve ajrore të shoqëruara nga fluturime të brendshme nga firma azere Silk Way, fillimisht të zbuluara nga BIRN në tetor të vitit të kaluar, ka vazhduar.

Aeroporti Ishullor në Kroaci Kthehet në Bazë të Pentagonit për Transport Armësh në Siri

Drejtoria e aviacionit e Serbisë tha për BIRN se fluturimit të Silk Way nga Baku, Azerbajxhan, drejt Rijekës së Kroacisë, më 5 tetor 2017, i cili kaloi mbi hapësirën e tyre ajrore, i ishte dhënë leje kalimi për “transportim të armëve dhe mjeteve të rrezikshme”.

Autoritetet kroate refuzuan të konfirmojnë ose mohojnë nëse fluturimet kanë bartur armë drejt Sirisë.

Pyetje janë ngritur rreth aftësisë se SHBA-ve për t’i ndjekur dërgesat e tyre deri te luftëtarët anti-ISIS, me dëshmitë se pajisjet e blera nga Pentagoni po gjejnë rrugë për të shkuar gjithashtu te grupet islamiste.

James Bevan, drejtor ekzekutiv i ‘Conflict Armament Research’, ka dokumentuar më shumë se 40 mijë pjesë të gjetura te ISIS në Siri, dhe gjeti se shumë nga to furnizime të Pentagonit për aleatët e tij.

“Çështja kryesore është se nëse i furnizoni me armë aktorët joshtetërorë, ju keni shumë pak kontroll në atë se çka ndodh me ato armë, sidomos në një situatë sikur ajo e Sirisë ku kemi shumë grupe konkurrente”, shpjegoi Bevan.

“Kjo nënkupton, si dikush që po dërgon armë në atë konflikt, ju realisht nuk keni kontroll se ku po shkojnë ato armë”, shtoi ai.

Pentagoni insiston se dërgesat amerikane të armëve drejt Sirisë janë “shtesë” dhe të dedikuara vetëm për operacione specifike.

Grupi i ri i armëve, sipas buxhetit të fundit të Pentagonit, nevojitet për ta krijuar një forcë të aftë për të siguruar “një mjedis te qetë dhe të sigurt dhe të aftë për ta luftuar ISIS-in 2.0 dhe Al Qaeda-n”.