SHBA Fton për Njohjen e Kosovës

Gjatë debatit për Kosovën në këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi amerikan tha se Uashingtoni e mbështet Kosovën në zhvillimin e saj ndërsa i ka dhënë mbështetje dialogut me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel nën ndërmjetësim të Bashkimit Europian.

Debati i sotëm ishte i pari që nga ndërrimi i administratës në Shtëpinë e Bardhë kur Donald Trump mori drejtimin e SHBA-ve.

“Ne e mbështesim njohjen e përgjithshme të Kosovës dhe inkurajojmë ato shtete që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë dhe t’i bashkohen më shumë 114 shteteve që e kanë bërë tashmë këtë”, tha përfaqësuesi amerikan.

Ai bëri thirrje që UNMIK të zvogëlohet.

“Do të ishte fatkeqe që UNMIK të kthehet ta bëjë atë që ka bërë sepse realiteti tani është ndryshe nga viti 1999 apo nga viti 2008 kur është ristrukturuar”, tha ai.

“Vazhdojmë ta mbështesim rolin qenësor që ka BE ndërsa Beogradi e Prishtina duhet të ndërmarrin hapa të domosdoshëm dhe të punojnë në normalizimin e marrëdhënieve”, shtoi përfaqësuesi amerikan.

Ndërsa përfaqësuesi i Britanisë së Madhe ishte edhe më konkret kur përmendi incidentet e fundit në veri të Kosovës.

“Treni provokues dhe muri i paligjshëm nuk do të duhej të gjenin vend. Kjo na lë mbrapa në diskutimin e gjërave që do të duhej të diskutoheshin”, tha përfaqësuesi britanik në OKB.

Ai përshëndeti suksesin e filmit kosovaro- britanik HOME i cili javën e kaluar fitoi një çmim në garën britanike të filmit BAFTA.