Foto: MFSK

ShBA e Shqetësuar me Projektligjin e Ri për FSK-në

Aleati dhe mbështetësi më i madh i Republikës së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara nga njoftimi për ndërrimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës pa ndryshime kushtetuese.

Në njoftimin e lëshuar nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë thuhet se mbështesin transformimin e FSK-së por kjo duhet të bëhet gradualisht dhe sipas Kushtetutës së vendit.

“Ne mbështesim transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë multietnike në linjë me standardet e NATO-s. Sidoqoftë, transformimi duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi përfshirës dhe të përfaqësimit politik që reflekton demokracinë multietnike të Kosovës”, thekson Ambasada amerikane.

Përmes këtij njoftimi, Ambasada thekson se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të jenë pjesë e një procesi të përbashkët të transformimit të FSK-së.

“Ne jemi të gatshëm të jemi pjesë e një procesi të  konsultimit me të gjithë akterët për të arritur qëllimin tonë të përbashkët, transformimin e FSK-së në një mënyrë që rrit sigurinë e Kosovës, kontribuon në stabilitetin rajonal dhe mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftim.

Krejt në fund të njoftimit, institucionet e Kosovës paralajmërohen se nëse vazhdojnë me procedimin e këtij Projektligji mund të mbeten pa mbështetjen afatgjate të ShBA-së.

“Miratimi i Projektligjit aktual do të na detyronte të rivlerësojmë bashkëpunimin tonë bilateral dhe ndihmën afatgjate për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thuhet po ashtu në këtë njoftim.

Më herët, gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-së ka shprehur shqetësimin dhe mospajtimin e tij lidhur me Projektligjin e ri për FSK-në.

http://kallxo.com/nato-kundershton-idene-e-thacit-per-fsk-ne/