Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi | Foto: KALLXO.com

Shala: Produktet e Serbisë bëjnë kërkesë për t’u regjistruar

Kryeshefi i Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale Jeton Shala tha se produktet e Serbisë bëjnë kërkesë për t’u regjistruar në Kosovë.

Shala u takua sot me anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Para anëtarëve të këtij komisioni Shala tha se prodhuesit e produkteve mjekësore të Serbisë bëjnë kërkesë për t’u regjistruar në Kosovë.

“Ne bëjmë edhe një konfirmim për produktet e Serbisë që bëjnë kërkesë për t’u regjistruar te ne”, tha Shala.

Shala foli për produktet medicinale të ardhura nga Serbia kur u pyet nga kryetarja e komisionit Besa Baftiu në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së vitit 2015 në mes Kosovës e Serbisë për qarkullimin e këtyre produkteve.

“Po flitet se kjo marrëveshje nuk po zbatohet dhe se ka edhe barna që hyjnë pa banderolë. Rreth 200 kuti pa banderolë prodhim i Serbisë kohën e fundit janë zënë nga dogana”, tha Baftiu.

Por kryeshefi Shala tha se nuk ka pasur probleme dhe marrëveshja është zbatuar.

“Marrëveshja është bërë në tremujorin e dytë të vitit 2015 dhe ka fillu të zbatohet në qershor 2015 dhe nuk ka pas telashe ne zbatim. Është zbatu ne mënyrë të mirëfilltë”, tha Shala.

Por Baftiu insistoi ta dijë të vërtetën rreth siç tha 200 produkteve të Serbisë të regjistruara në Kosovë me dokumente false.

Shala tha se këto produkte janë regjistruar para arritjes së marrëveshjes.

“Kjo ka të bëjë me një interval kohor para marrëveshjes.Pasi i kam marrë informacionet e kam paraqit rastin te organet e rendit”, tha Shala.

Si u ankua se në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale ka mungesë të madhe të punëtorëve shërbyes civilë.