Ligjërata e profesorit Daniel Serwer | Foto: KALLXO.com

Serwer: Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sistemi gjyqësor

Profesori Daniel Serwer tha sot se sistemi i drejtësisë është tejet i rëndësishëm për Kosovën.

Serwer ligjëroi në temën “Ballkani, BE-ja dhe SHBA-të: A mund të Sinkronizohen përsëri?”, të organizuar nga Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave.

“Po e përsëris çfarë kam thënë edhe të martën në Maqedoni: nuk ka asgjë më të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës si shtet, sesa bërja e një sistemi të mirëfilltë gjyqësor”, tha Serwer.

Ai deklaroi që ky sistem duhet t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë kosovarët

“Sistem që është i krijuar ashtu që t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë – shqiptarët, serbët, ashkalinjtë, turqit, romët, gratë, burrat, edhe anëtarët e LDK-së, PDK-së, AAK-së, Vetëvendosjes, Listës Serbe dhe nja 15 partive të tjera…”, tha Serwer.

Ai rastet e aktakuzave për zyrtarë të lartë shtetërorë për korrupsion dhe krim të organizuar, i cilësoi “shenja të mira për drejtësinë në Kosovë”.

Ndërkaq, ai foli edhe rreth dialogut me Serbinë për të cilin tha se po drejtohet drejt një marrëveshjeje përmbyllëse.

Por, sipas tij, ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është më shumë se e rrezikshme.

“Sipas meje, nuk është vetëm e keqe, por katastrofale. Ndarja, këmbimi i territoreve ndërmjet Serbisë e Kosovës, do t’u jepte zemër atyre që e mbështesin ndarjen e Maqedonisë, por edhe Bosnjës”, tha Serwer.

Po ashtu, duke folur rreth përqendrimit amerikan në politikën e jashtme ai e përmendi Lindjen e Mesme dhe shtetet si Irani dhe Koreja Veriore, por tha se rajoni i Ballkanit nuk përbën fushë të madhe të fokusit amerikan nën administratën e presidentit Trump, ashtu siç nuk ka qenë as nën administratën e presidentit Obama.