Pllakati në Mushtisht me fotografi nga lufta | Foto: KALLXO.com

Serbia Proteston për Pllakatin në Mushtisht

Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën u ka bërë thirrje autoriteteve të Prishtinës që “urgjentisht të heqin pllakatin e vendosur në Mushtisht afër Suharekës, pasi që ajo përhap urrejtje ndërkombëtare në mënyrë të drejtpërdrejtë  po ashtu i dekurajon serbët që të kthehen në fshat”.

Në deklaratën e saj të lëshuar të dielën, zyra tha se kjo ishte një përpjekje tjetër për të parandaluar serbët të kthehen në zonë pas largimit nga Kosova pas luftës.

“Është cinike që në një fshat në të cilin çdo gjë që ishte serbe është rrafshuar me tokë, ata kanë vënë në dukje krimet e pretenduara të popullit serb me pllakate,” thuhet në reagimin e zyrës së qeverisë.

Një organizatë lokale rinore nga Mushtishti  ka vënë një pllakat me fotografi nga lufta në Kosovë këtë fundjavë, për të treguar pakënaqësinë në lidhje me kthimin e mundshëm të serbëve në këtë fshat.

Ai është vendosur në qendër të fshatit, pranë një monumenti i luftëtarëve nga Mushtishti që vdiqën në luftë, pasi dhjetë familjeve serbe kërkuan të kthehen në bazë të një plani të bërë nga ministria e Kosovës që ende nuk është zbatuar.

Pllakati ka fotografi të njerëzve të vrarë dhe shtëpive të djegura nga forcat serbe gjatë luftës.

“Kjo është ajo çka lanë pas vete kur u larguan nga Mushtishti serbët lokal,” thuhet anglisht dhe shqip në pllakat.

Abdyl Osmani, një nga aktivistët që vendosi tabelën, tha për BIRN se kthimi i serbëve ishte i pamendueshëm për shkak të “plagëve të freskëta të luftës së shkaktuara nga banorët serbë të këtij fshati”.

“Me këtë tabelë, jemi munduar që disi të paraqesim me fotografi se çka kanë bërë ushtria serbe dhe serbët lokalë në Mushtisht. Ata kërkuan që të kthehen, por nuk morën asnjë hap për të na sjellë personat e zhdukur, apo për të marrë përgjegjësi për vrasjet”, tha Osmani.

Shqiptarët edhe serbët jetuan në Mushtisht deri në vitin 1999.

Por shqiptarët, të cilët ishin shumicë, ankohen se disa serbë lokalë kanë kryer vrasje, kanë djegur shtëpi dhe kanë plaçkitur gjatë luftës.

Suhareka dhe fshatrat përreth ishin kryesisht në shënjestër dhe shumë persona janë ende të zhdukur.

Gjykata Penale Ndërkombëtare  për  ish- Jugosllavinë ka dënuar gjashtë ish- zyrtarë serbë të cilët ishin përgjegjës për krimet e luftës të kryera në këtë zonë.

Gjykatat serbe dënuan gjithashtu disa persona për krimet e kryera atje.

Shefi i Policisë së Suharekës Radajko Repanoviq dhe polici Sladjan Cukariq u dënuan me nga 20 vjet burg për përfshirjen e tyre.

Oficerit të policisë Miroslav Petkoviq dhe zyrtarit të sigurimit të shtetit Milorad Nisaviq u janë dhënë dënim nga 13 dhe 15 vjet respektivisht.

Kthimi i rreth 200 mijë serbëve të cilët u larguan nga Kosova pas mbarimit të luftës së vitit 1999 ka qenë I ngadalshëm dhe deri më tani vetëm 100 mijë prej tyre janë kthyer përsëri.