EHF

Serbia Përjashtohet nga Kualifikimet në Hendboll

Federata Europiane e Hendbollit (EHF) ka vendosur që ta përjashtojë Serbinë nga kualifikimet për Kupën e Botës në Hendboll për të rejat, pas anulimit të ndeshjes së sotme kundër Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga EHF përmes një komunikate.

EHF tha se ndeshja është anuluar si rezultat i ndërhyrjes së qeverisë së Serbisë.

Sipas federatës, marrë parasysh problemet e sigurisë dhe këshillat e autoriteteve policore serbe, zhvillimi i ndeshjes ishte zhvendosur nga Kragujevci në Kovilovo ndërsa ajo duhej të zhvillohej pa praninë e publikut dhe mediave.

“Në rrethanat e anulimit të ndeshjes dhe dështimit të Serbisë që ta luajë lojën, EHF ka vendosur që ekipi kombëtar i Serbisë të përjashtohet nga pjesëmarrja e mëtejme në këtë ngjarje”, thuhet në komunikatë.

“Bazuar në informatat që kemi, ndeshjet e mbetura ndërmjet Norvegjisë, Sllovakisë dhe Kosovës pritet të luhen pa ndonjë problem”, vazhdon komunikata.

Orari i ndeshjeve, pa pjesëmarrjen e Serbisë, mbetet e pandryshuar gjatë tri ditëve të ardhshme.

Më herët, qeveria e Kosovës e dënoi vendimin e qeverisë serbe për anulimin e kësaj ndeshjeje.

http://kallxo.com/qeveria-reagon-per-anulimin-e-ndeshjes-se-hendbollit-ne-serbi/