Ratko Mlladiq në gjykatën e Hagës. Foto: Beta.

Serbia Ofron Garanci për Lirimin e Përkohshëm të Mlladiqit

Ministria serbe e Drejtësisë njoftoi se Qeveria i kishte ofruar garanci Gjykatës së Hagës për të lejuar ish-komandantin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i cili po gjykohet për gjenocid dhe krime të tjera lufte, të lirohet përkohësisht nga paraburgimi për t’u kuruar.

Mlladiqit më herët iu mohua lirimi e përkohshëm në maj 2017, kur ai kërkoi të merrte trajtim mjekësor në Rusi.

Prokurorët e Hagës u shprehën se ekzistonte rreziku që ai të mund të largohej para vendimit në gjyqin e tij.

Avokatët dhe familja e Mlladiqit i kërkuan zyrtarisht qeverisë serbe më 5 shtator t’i japin Gjykatës së Hagës garancitë që kërkohen për të kërkuar lirimin e parakohshëm të ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës për arsye shëndetësore.

Mlladiq ka pasur disa probleme serioze shëndetësore gjatë qëndrimit në burg dhe ka pësuar dy infarkte dhe një atak në zemër. Avokatët e tij thonë se gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë në maj të këtij viti.

Pasi mori garanci nga Serbia, ekipi i tij i mbrojtjes do të paraqesë një kërkesë në Hagë dhe gjykata do të vendosë për të.

Mlladiq u arrestua në vitin 2011 në fshatin Lazarevo, pranë Zrenjaninit, në veri të Serbisë, pasi kaloi 16 vjet në arrati.

Ai tani po gjykohet në Hagë për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën, gjë që dyshohet se arriti në shkallë gjenocidi në disa komuna, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Mbrojtja dhe prokuroria dhanë deklaratat e fundit mbyllëse në gjyqin e tij në dhjetor të vitit të kaluar.

Vendimi pritet të merret në nëntor.