Varri i Alojzije Stepinaç në Katedralen e Kroacisë. Foto: Wkimedia Commons/Janezdrilc.

Serbia Kritikon Kroacinë për Spastrimin e Emrit të Stepinaçit

Presidenti serb Tomislav Nikoliq tha të premten se vendimi i gjykatës së Zagrebit për të anuluar vendimin që dënon Stepinaçin nënkuptonte se Kroacia rrezikonte të humbte “mbështetjen e pjesës së qytetëruar, antifashiste dhe anti-naziste të njerëzimit”.

Nikoliq tha se vendimi ishte një përpjekje për t’i bërë presion Vatikanit, i cili është në proces vendosjeje nëse Stepinaçi duhet të deklarohet apo jo shenjtor.

“Unë këtë e interpretoj si një lloj presioni që Papa të përcaktojë të vërtetën dhe ta kanonizojë ish-kardinalin”, tha Nikoliq.

Gjykata e Qarkut në Zagreb të premten anuloi vendimin që dënon Stepinaçin, duke argumentuar që ai nuk pati një gjykim të drejtë nën regjimin komunist jugosllav.

Gjykata e Lartë Jugosllave e dënoi Stepinaçin me 16 vjet burg në vitin 1946 për bashkëpunim me Gjermaninë naziste, Italinë fashiste, si edhe me Shtetin e Pavarur të Kroacisë, NDH.

Stepinaçi ka qenë për shumë kohë një figurë trashëgimia e të cilit ka shkaktuar fërkime midis Kroacisë dhe Serbisë.

Milovan Pisarri, një historian nga Beogradi dhe anëtar i Forumit për Histori të Aplikuar, tha për BIRN se anulimi i vendimit ishte “diçka krejtësisht politike”.

“Anulimi është i nevojshëm për të krijuar marrëdhënie të re kundrejt të kaluarës, e cila do të ndihmonte ndërtimin e një kombi-shtet të ri kroat”, tha Pisarri.

Ai shtoi se roli i Stepinaçit nën regjimin pro-nazist të Kroacisë nuk mund të vihej në dyshim sepse ai ishte kreu i Kishës Katolike Kroate nga viti 1941 deri në vitin 1945.

“Ai është padyshim i kompromentuar. Ai bashkëpunoi me regjimin fashist, duke u dhënë atyre mbështetje ideologjike”, tha Pisarri.

Nikola Knezeviq, një teolog dhe president i Qendrës për Studim Feje, Politike dhe Shoqërie në Novi Sad, tha për BIRN se nga këndvështrimi ligjor sipas legjislacionit kroat, vendimi për të anuluar vendimin e dhënë për të ishte i ligjshëm.

Por ai paralajmëroi se anulimi do të çojë në përkeqësimin e marrëdhënieve midis Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës Katolike në Kroaci, si edhe vetë marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Problemi i kroatëve dhe serbëve është se ata jetojnë në të kaluarën, ndërsa marrëdhënia e tyre me të kaluarën është selektive”, tha Knezeviq.

Ai citoi një tjetër shembull seancash rehabilitimi në Beograd për liderin e qeverisë kukull pro-naziste të kohës së Luftës së Dytë Botërore Milan Nediç.