Vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi - Foto: KALLXO.com

Serbia Insiston të Përfshihet në Hetimet për Vrasjen e Ivanoviqit

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi sot me anë të një komunikate se drejtori i policisë Vlladimir Rebiq në një bisedë telefonike me përfaqësues të EULEX-it ka kërkuar urgjentisht përfshirjen e institucioneve të këtij shteti në hetimin e vrasjes së Ivanoviqit.

Sipas komunikatës, menjëherë pas dorëzimit të dokumentit nga Prokuroria Kundër Krimit të Organizuar me të cilin zyrtarisht kërkohet përfshirja në këto hetime, MPB-ja ka kontaktuar shumë herë me përfaqësues të EULEX-it dhe UNMIK-ut.

MPB-ja e Serbisë kërkon nga EULEX-i që sa më shpejt që të jetë e mundur të përfshijë organet e këtij shteti në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit që sipas komunikatës do të mundësonte kapjen sa më parë të kryerësve të kësaj vepreje të rëndë penale.

MPB-ja tregon në komunikatë se do të publikojë edhe dokumentet që i dërgoi në drejtim të EULEX-it dhe UNMIK-ut për përfshirje në këtë hetim.

Dje përfshirjen e Serbisë në hetim e kërkoi edhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Sot Oliver Ivanoviq u përcoll nga Mitrovica Veriore drejt Beogradit ku do të varroset.