Abuxha, kryeqytet i Nigerisë

Serbia i Kërkon Nigerisë ta Intervistojë Dëshmitarin për Trafik Organesh

Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi të enjten tha se i kishte kërkuar Nigerisë të marrë në pyetje Philip Njemanze – një mjek i cili pohoi se politikani i Kosovës Hashim Thaçi dhe politikani nigerian Rochas Okorocha ishin të përfshirë në tregtinë e organeve të serbëve që janë zhdukur gjatë dhe pas luftës në Kosovë në vitin 1999.

“Prokuroria ka nisur procedurën që do të mundësonte marrjen në pyetje të një personi i cili mund të jetë në dijeni të trafikimit të organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë,” tha prokuroria në një deklaratë.

Kërkesa erdhi pasi Njemanze, kryetar i Shoqatës Mjekësore Nigeriane, NMA, më 4 shkurt akuzoi Okorochan, i cili është guvernator i provincës Imo të Nigerisë, për trafikim organesh njerëzore me bashkëpunëtorë në Kosovë, Turqi, Kroaci dhe vende të tjera.

“Për herë të parë në historinë e njerëzimit, një qeveri e ka deklaruar veten një kartel trafiku organesh. Qeveria e shtetit Imo po përdor objekte shëndetësore shtetërore për të lehtësuar një rrjet trafikimi organesh,” tha Njemanze në Owerri, kryeqyteti i shtetit Imo, thanë raportet mediatike.

“Bashkëpunëtorë të huaj të qeverive nga Turqia, Kosova, Kroacia dhe të tjerë janë tashmë këtu në Imo për të përsosur krijimin e rrjetit. Është një rrjet ndërkombëtar me Okorochan në krye të saj,” shtoi ai.

“Një ish-kryeministër i Kosovës është kreu i trafikut të organeve në Evropë dhe ai është mik i Okorochas,” vazhdoi ai.

Njemanze më tej pohoi se në udhëtimet e fundit në Turqi, Kosovë, Kroaci dhe vende tjera të Amerikës Latine dhe Azisë, guvernator kishte kryer trafik organesh në shtet.

Prokuroria serbe për krimet e luftës tha gjithashtu se deri më tani ka dëgjuar 160 dëshmitarë dhe shtoi se po bashkëpunon me EULEX-in, i cili ka dëgjuar më shumë se 200 dëshmitarë në Serbi.

Akuzat për trafik dhe marrje organesh për herë të parë u shfaq në një memo të shkruar në vitin 1999 nga gazetari amerikan Michael Montgomery, i cili hetoi dyshimin për trafik organesh nga luftëtarët e Kosovës pas luftës.

Ajo iu dërgua më pas Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut, i cili ishte autoriteti administrativ në Kosovë pas përfundimit të luftës.

Një raport i botuar në vitin 2011 nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, më pas tha se nuk kishte prova se grupet, përfshirë liderë të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, kanë qenë pjesë e një rrjeti marrjesh dhe trafikimi organesh, e cila operonte në një vilë në qytetin e Fushë Krujës në Shqipëri.

Pas raportit, BE-ja ngriti një grup pune që kreu një hetim trevjeçar në lidhje me këto pretendime dhe publikoi raportin e saj.

Ai th se kishte prova për të ndjekur penalisht zyrtarë të paidentifikuar të lartë të UÇK-së për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë rrëmbime dhe vrasje të kryera pas konfliktit të vitit 1999.

Këto zbulime siguruan bazë për ndjekje penale në gjykatën e re të krimeve të luftës, për të gjykuar zyrtarë të lartë të UÇK-së për krime lufte dhe vepra penale të pasluftës, e cila do të ngrihet në Hagë këtë vit.

Trafikimi i organeve nuk është përmendur drejtpërdrejt në legjislacionin e miratuar nga parlamenti i Kosovës që autorizon gjykatën e re të funksionojë.

Megjithatë, ai thotë se njerëzit mund të ndiqen penalisht për “nënshtrim të personave i përkasin një pale kundërshtare për gjymtime fizike, eksperimente mjekësore apo shkencore ose të të çdo lloji, të cilat nuk justifikohen si trajtime mjekësore, dentalë apo spitalore”.

Deri tani, një gjykatë në Kosovë ka dënuar pesë burra për pjesëmarrje në një rrjet të paligjshëm tregtimi organesh që merrte dhe shiste veshka njerëzish në klinikën “Medicus” pranë Prishtinës.

Së fundmi, një tjetër i dyshuar për trafikim organesh, një doktor turk Kenan Demirkol, u dorëzua në Prishtinë më 25 janar për të dhënë një deklaratë për prokurorët.

Në këmbim, Demirkol kërkoi heqjen e urdhër arrestit të nxjerrë nga Interpoli, i cili hyri në fuqi në vitin 2014. Ai akuzohet për trafikim organesh, së bashku me një mjek tjetër turk, Yusuf Sonmez, i cili mbetet ende i lirë.