Serbia me Hetim Paralel për Vrasjen e Oliver Ivanoviqit

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se Serbia ka kërkuar të marrë pjesë në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë të Veriut dhe bëri të ditur se do të ketë një hetim paralel nga autoritetet serbe për këtë vrasje.

“Për Serbinë ky është një akt terrorist dhe do ta trajtojmë si të tillë”, tha Vuçiq në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Nacional të Sigurisë të cilin e thirri të martën paradite.

Vuçiq tha se Këshilli i ka dërguar një kërkesë eksplicite EULEX-it dhe UNMIK-ut që autoritetet serbe të marrin pjesë në hetimin në Kosovë ndërsa njoftoi për hetimin paralel.

“Jemi të sigurt se pjesëmarrja e autoriteteve serbe do të garantonte kapjen e vrasësve të Oliver Ivanoviqit”, tha Vuçiq dhe insistoi se kryesit e vrasjes do të identifikohen.

Ai tha se prokurori i krimit të organizuar do ta nisë një hetim sot dhe do të bëjë kërkesë te Policia e Serbisë dhe Agjencia Informative serbe për të mbledhur informacione rreth rastit.

“Jam i sigurt se ky sulm, pa marrë parasysh kush e ka bërë- serbët, shqiptarët apo të huajt- është një sulm ndaj familjes së Ivanoviqit, veriut të Kosovës dhe gjithë serbëve”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se Beogradi nuk ka besim se autoritetet në Prishtinë do të zbardhin rastin e vrasjes së Ivanoviqit.

“Nëse nuk janë në gjendje, i lusim që t’i ftojnë organet tona dher ta pranojnë ndihmën tonë. Sepse ne themi që do ta zbulojmë vrasësin”, tha Vuçiq.

Vuçiq deklaroi se është vrarë një njeri familjar.

“Është vrarë njeriu që ishte prind, bashkëshort, i cili asnjëherë nuk bëri thirrje për konflikt mes serbëve e shqiptarëve”, tha Vuçiq.

Oliver Ivanoviq u vra sot në mëngjes në Mitrovicën Veriore.