Naser Oriq me mbështetës jashtë gjykatës të hënën. Foto: BIRN.

Serbët të Zemëruar nga Lirimi i Naser Oriqit nga Akuzat

Milorad Dodik, kryetari i entitetit me shumicë serbe në Bosnjës, Republika Srpska, reagoi me zemërim ndaj vendimit të gjykatës shtetërore për të liruar nga akuzat Naser Oriqin të hënën, duke kërcënuar se do të ringjallë idenë e një referendumi që do të vërë në pikëpyetje ligjshmërinë e gjykatës dhe prokurorisë në niven shtetëror.

“Kjo është koha që ne të flasim për referendumin mbi gjykatën dhe prokurorinë në nivel shtetëror,” tha Dodik.

Oriq, i cili ishte komandant i njësive të mbrojtjes territoriale të Ushtrisë Boshnjake, u shpall i pafajshëm për vrasjen e tre të burgosurve serbë të luftës në fshatrat në zonën e Bratunacit dhe Srebrenicës në 1992.

Dodik i bëri thirrje stafit serb të largohet nga gjykata dhe prokuroria shtetërore.

Ai gjithashtu akuzoi gjykatën se ishte e njëanshme sepse gjyqtari në gjyqin e Oriqit ishte një boshnjak (boshnjak mysliman).

“Mjafton që një mysliman të gjykojë një mysliman tjetër dhe do të lirohesh nga akuzat,” tha Dodik.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq tha se vendimi ishte provë se jetët e serbëve nuk konsideroheshin “të kenë po aq vlerë sa jetët e të tjerëve”.

“Asnjë gjykatë nuk do të jetë në gjendje ta fshehë të vërtetën,” tha Vuçiq.

Megjithatë ai i bëri gjithashtu thirrje popullsisë serbe të Bosnjës të jenë miq me boshnjakët e vendit dhe të vazhdojnë të ndërtojnë një të ardhme bashkë.

Anëtari kroat i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Dragan Çoviq, tha se vendimi ishte “një hap pas”.

“Kjo na kthen pas dhe është e sigurt që kjo do të shkaktojë retorika negative,” tha Çoviq.

Ministri i sigurisë në Bosnjë, Dragan Mektiq, ndërkohë akuzoi lidershipin e Republikës Srpska se po e përdor lirimin nga akuzat të Oriqit për qëllimet e saj.

“Autoriteteve serbe të Bosnjës nuk i interesojnë krimet tona. Ata i përdorin viktimat vetëm për pikë politike,” tha Mektiq.

Ai gjithashtu akuzoi prokurorinë e Bosnjës si të paaftë në rastin e Oriqit.

“Prokuroria nuk ishte e angazhuar për të vërtetuar fajin,” u shpreh ai.

Ruzhica Jukiq, nënkryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili mbikëqyr institucionet gjyqësore të vendit, i dënoi komentet e kreut të Republikës Srpska, Dodik.

“Këto janë presionet që shohim gjithmonë pas vendimeve të tilla. Unë besoj se askush nuk duhet të dëgjojë deklarata dhe thirrje të tilla dhe besoj se asnjë prokuror apo gjyqtar do ta marrë seriozisht thirrjen e Dodikut,” tha Jukiq.

Prokuroria ka thënë se do ta kundërshtojë vendimin.

“Pasi të marrim vendimin me shkrim, do të apelojmë,” tha zëdhënësi i prokurorisë Boris Grubeshiq.