Serbët Tallen me Zgjedhjet Presidenciale Duke ‘Shitur’ Votat Online

Një votues serb i quajtur Vladimir, nga Vrbas, një qytet në provincën veriore Vojvodinë të Serbisë ka nxjerrë në shitje votën e tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në një uebsajt të njohur shitjesh online të quajtur ‘Kupujem Prodajem’ (Blej, Shes).

Reklama e tij e postuar më 7 mars shkruan: “Shes votën, partia nuk është e rëndësishme. Arsyeja e shitjes: kam hequr dorë. Mundësisht shkëmbim me shtetësi kanadeze dhe një fermë në Kanada”.

Çmimi i votës së tij është plot 10.5 milionë euro.

Zgjedhjet presidenciale në Serbi janë planifikuar më 2 prill. Ndërsa shit-blerja e votës është e paligjshme, partitë vazhdimisht akuzohen se i ofrojnë votuesve të mundshëm para – gjë që nxiti reklamën.

Një tjetër votues, gjithashtu nga Vojvodina, postoi një reklamë në një uebsajt të quajtur Limundo ku ofronte të jepte me qira lopën e tij te partitë e koalicionit qeveritar për të bërë një video promovuese ku shfaqen kafshët.

Shpallja sillte në vëmendje fushatat e mëparshme zgjedhore në Serbi ku kandidatët vizitonin fshatra dhe madje përkëdhelnin lopë për të promovuar veten si njerëz që kujdesen për fermerët.

“Jap me qira një lopë për të bërë një video për zgjedhjet presidenciale; oferta vlen vetëm në koalicionin qeverisës sepse ka të gjithë paratë [të tjerë janë të dyshimtë për mua, edhe sektori jo-qeveritar,” shkroi banori i Novi Sad.

“Do të shkojmë te ferma e regjistruar dhe atje do të përballemi me jetën e rëndë të fermerëve, do t’i japim dorën krah lopëve dhe do të bëjmë foto – e gjitha kjo për tre orë,” shpjegoi votues, duke shtuar se kandidati që do të fitonte ankandin do të lejohej ta përkëdhelte lopën.

Çmimi për qiranë e lopës ishte 160 euro. Megjithatë, pasi media e zbuloi reklamën e tij, administratorët e Limundo e mbyllën ankandin e tij.

Shitja e votave në Ballkan është një temë e zakonshme. Përpara zgjedhjeve të vitit të shkuar në Bosnje dhe Mal të Zi, mediat lokale e raportuan fenomenin e shumë votuesve që postuan reklama gazmore të shitjes së votës te ai që paguan më shumë.

Ndërsa çmimi i shitjes prej 10.5 milionë euro qartazi reflekton pikëpamjen e sëmurë të politikës serbe, disa votues kanë vënë çmime më realiste si vetëm 25 euro, në Bosnje për shembull, në zgjedhjet e mbajtura shtatorin e shkuar.