Serbët Protestojnë për Burgosjen e Oliver Ivanoviqit

Policia tha se rreth 400 njerëz marshuan të premten nga Sheshi Sumadija në Mitrovicë drejt Gjykatës Themelore, e cila javën e kaluar dënoi Ivanoviqin me nëntë vjet burg për krime lufte.

Duke mbajtur pankarta me slogane si “Liri për Oliverin!”, “Ndal vendimeve politike” dhe “Gjykoni me ligj, jo me forcë”, protestuesit brohoritën emrin e Ivanoviqit ndërsa tallnin misionin e sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, gjyqtarja e të cilit dha vendimin.

Protesta përfundoi paqësisht.

Ksenija Bozoviq, nga Paria Liri, Demokraci, Drejtësi e Ivanoviqit, këmbënguli se ai ishte i pafajshëm dhe “ishte dënuar pa fakte.”

“Ne po kërkojmë lirimin e tij. Kërkojmë gjithashtu që përfaqësuesit politikë të serbëve në Prishtinë dhe Beograd të fillojnë bisedimet me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar për atë që po i ndodh Oliverit dhe të drejtave të tij,” tha ajo.

Protesta erdhi një ditë pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë vendosi se Ivanoviqi duhet të kthehet në paraburgim, duke rrëzuar kështu vendimin e mëparshëm se ai duhet të mbetet në arrest shtëpiak deri në fund të apelimit ndaj dënimit të tij.

Gjykata tha se urdhri i tij për arrest shtëpiak “ishte vendosur gabim” dhe se “kërkesa për paraburgim është e detyrueshme kur një i pandehur është dënuar me pesë ose më shumë vite burg”.

Marko Gjuriq, kreu i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën të enjten e dënoi vendimin për ta rikthyer Ivanoviqin pas grilave, duke thënë se “Serbisë dhe serbëve ky i ngjan si një grusht në fytyrën e shtetit dhe kombit”.

“Serbia dhe serbët do ta mbështetin Oliver Ivanoviqin dhe do të dinë të përgjigjen me zë shumë të lartë,” shtoi Gjuriq.

Miqtë dhe mbështetësit e Ivanoviqit organizuan gjithashtu një protestë të shtunën e kaluar në Beograd për të shprehur zemërimin e tyre ndaj vendimit.

Ivanoviq, një ish-zyrtar i qeverisë serbe dhe kreu i një partie politike të serbëve të Kosovës të quajtur Liri, Demokraci, Drejtësi, u shpall fajtor për urdhërimin e vrasjes së nëntë shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi kur ai ishte lideri i një njësie policore paraushtarake.

Shqiptarët u vranë nga të ashtuquajturit “Rojtarët e Urës” – ekstremistë serbë që patrullonin urën kryesore në Mitrovicë që ndan qytetin në zonën serbe dhe atë shqiptare.

Dënimi i Ivanoviqit zemëroi zyrtarët serbë, të cilët u shprehën se ky ishte një vendim i motivuar politik dhe një përpjekje për të qetësuar zemërimin në Kosovë për gjykatën e re speciale që do të ngrihet në Hagë, e cila do të gjykojë liderë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ivanoviq u shpall i pafajshëm për nxitje të vrasjes së dhjetë shqiptarëve etnikë nga ”Rojtarët e Urës” gjatë trazirave që shpërthyen në Mitrovicë më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga serbët.

Katër burrat e tjerë në gjyq për të njëjtën çështje, ish-shefi i policisë serbe Dragoljub Delibashiq, Aleksandar Lazoviq dhe babë e bir Nebojsha dhe Ilija Vujiçiq u shpallën të pafajshëm për përfshirje në dhunën e shkurtit 2000.