Gjykata e qarkut Zagreb. Foto: Wikimedia Commons/Suradnik 13

Serbët e Kroacisë Gjykohen për Djegie të Shtëpive të Fshatit

Në gjykatën e qarkut të Zagrebit ka filluar gjykimi i Nikola Lagjeviq, Predrag Radishiq dhe Dean Tisma, ish-anëtarë të Batalionit të 2-të të forcave të armatosura të Republikës së Krajinës Serbe, një shtet i vogël i panjohur serb gjatë kohës së luftës.

Të tre burrat po gjykohen për djegie dhe shkatërrim të shtëpive në fshatin Nova Derencina, i cili ishte i populluar pothuajse i gjithë nga kroatët, në tetor të vitit 1991.

Ata po gjykohen në mungesë, pasi supozohet se jetojnë në Serbi.

Lagjeviq ishte komandanti i togës dhe Radishiq dhe Tisma ishin vartësit e tij kur trupat serbe sulmuan fshatin më 6 tetor 1991, pasi mbrojtja kroate e qytetit të Petrinjës ishte mposhtur.

Sipas dëshmitarëve që ishin anëtarë të Ushtrisë Kroate, serbët sulmuan fshatin, duke djegur shtëpi dhe hambare. Gjatë sulmit, tanket gjithashtu shkatërruan shtëpi, thanë dëshmitarët.

Ushtarët kroatë fillimisht u tërhoqën dhe pastaj u kthyen për ta gjetur fshatin gjysmë të djegur.

Pastaj forcat serbe sulmuan përsëri dhe dogjën rreth 80 nga 120 shtëpi në fshat.

Dy gra të moshuara kroate pretendohet se i mbijetuan sulmit. Njëra prej tyre u kap dhe u lirua mënjehër nga forcat serbe.

Katër dëshmitarë dëshmuan të enjten, por thanë se ata nuk i panë të pandehurit të digjnin shtëpi.

Megjithatë, ish-ushtarët kroatë që dëshmuan thanë se të akuzuarit ishin anëtarë të njësive serbe dhe thanë se ata e njohën Radishiqin dhe Tisman nga fotografitë që u tregoi avokati i shtetit.

Në disa nga fotografitë, dëshmitarët nuk arritën ta dallonin Tisman nga vëllai i tij, i cili kishte moshë të ngjashme dhe emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Disa nga fotografitë tregojnë Radishiqin duke djegur shtëpi, por nuk ishte e qartë se kur ishin bërë saktësisht fotografitë.

Në disa nga fotografitë, komandanti famëkeq serb Dragan Vasilkoviq, i njohur si Kapiten Dragani, tregohet duke pozuar me të akuzuarit dhe ushtarë serbe.

Padia u ngrit nga zyra e avokatit të shtetit në Sisak në vitin 2009, ndërkohë që shumica e dëshmitarëve i dhanë dëshmitë e tyre në vitin 2004.

Gjyqi do të vazhdojë më 29 shtator, kur do të dëshmojnë katër dëshmitarë të tjerë.