Varret e viktimave të Srebrenicës | Foto: Wikicommons

Serbët e Bosnjës do të Sfidojnë Apelin për Gjenocid

Presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik dhe kreu i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur ranë dakord me kreun e Aleancës Demokratike Kombëtare Marko Paviq dhe kreun e Partisë Socialiste Petar Djokiq të dielën që të mbajnë një seancë të posaçme të Asamblesë Kombëtare të entitetit serb të Bosnjës në një përpjekje për të ndaluar lëvizjen boshnjake për të apeluar kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të vendit, Bakir Izetbegoviq njoftoi të premten se Bosnja do të nisë një apel kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2007 i cili e liroi Serbinë nga akuzat për pjesëmarrje në gjenocid gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Vendimi për t’i kërkuar gjykatës të rishikojë vendimin, ka shkaktuar zemërim mes serbëve të Bosnjës dhe politikanëve në Beograd.

Dodik tha se ai pret që seanca e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe do të mbahet herët të martën.

Ai tha se Izetbegoviq duhet të marrë parasysh mendimet e serbëve të Bosnjës dhe paralajmëroi se ai “po vinte në rrezik të ardhmen e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

“Nëse ata duan që Bosnja dhe Hercegovina të eci para, ata duhet të kuptojnë se në Bosnjë dhe Hercegovinë ka edhe serbë,” tha Dodik.

“Nëse dikush dëshiron të marrë vendime në emër të serbëve, do të ketë pasoja,” shtoi ai.

Dodik, Paviq dhe Djokiq ftuan gjithashtu anëtarë të partive politike serbe të Bosnjës t’i bashkohen një takimi të përbashkët të hënën për të formuluar hapat e tyre të radhës.

Paviq tha se ai besonte se çdo rishikim i çështjes do të dështonte për ta shpallur Serbinë përgjegjëse për gjenocid.

“Nuk ka asnjë provë. Por çështja e vërtetë është se kjo paraqet praktikën ku një individ mund të vendosë në emër të popullit dhe shtetit. Kjo është anarki! Është më mirë që një Bosnjë dhe Hercegovinë e tillë të mos ekzistojë,” tha ai.

Deputetë serbë në parlamentin në nivel shtetëror do të takohen gjithashtu të hënën për të diskutuar çështjen.

Në vendimin e vitit 2007, GJND-ja vendosi se masakra e vitit 1995 e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë nga Srebrenica nga forcat serbe të Bosnjës përbënte gjenocid dhe se Serbia kishte shkelur Konventat e Gjenevës duke mos e ndaluar atë.

Megjithatë, ajo vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të treguar se forcat serbe të Bosnjës që kryen gjenocidin vepruan “me urdhër” ose “kontroll” të Serbisë.

Koha brenda së cilës mund të paraqitet kërkesa për apel skadon më 26 shkurt.

Vendimi u mor pas një takimi të përbashkët në Sarajevë të rreth 50 ekspertëve ligjorë, përfaqësues të qeverisë, partive opozitare, akademikëve dhe OJQ-ve.

Dodik tha ndërkohë se liderët serbë të Bosnjës do të kërkojnë një takim me zyrtarë në Beograd që të mund të koordinojnë përgjigjen e tyre.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq tha të premten se lëvizja për të rihapur padinë për gjenocid në GJND, nënkuptonte fillimin e një kohe marrëdhëniesh të vështira midis Serbisë dhe Bosnjës dhe këmbënguli se Bosnja ka më shumë për të humbur sesa Serbia.

Tibor Varadi, një ish-anëtar i ekipit ligjor serb që punoi me këtë çështje në GJND, tha të dielën se ka shumë gjasa që kërkesa e Bosnjës për një rishikim të çështjes të pranohet.

Ai sugjeroi se kërkesa do të trajtohet si një çështje e re, e cila kërkon autorizim të ri nga përfaqësuesit e shtetit boshnjak, si edhe gjyqtarë të rinj.

“Sipas atyre që di unë, nuk duket se ka shumë gjasa që kërkesa të miratohet,” tha Varadi për agjencinë e lajmeve Tanjug.

As Serbia dhe as Republika Serbe nuk i konsideron masakrat e vitit 1995 në Srebrenicë si gjenocid, pavarësisht vendimeve të dhëna nga gjykatat ndërkombëtare.