Milorad Dodik. Foto: Anadolu.

Serbët e Bosnjës do të Ndalojnë Mësimet për Gjenocidin e Srebrenicës

Fëmijët në shkollat e Republikës Srpska nuk do të mësojnë kurrë për gjenocidin e Srebrenicës dhe për rrethimin e Sarajevës, tha kryetari Milorad Dodik në një konferencë për shtyp në Banja Llukë të martën në mes të polemikave mbi një ndalim të propozuar për tekstet shkollore që përfshijnë këto tema.

“Këtu është e pamundur të përdoren libra shkollorë nga Federata (entiteti tjetër i Bosnjës me shumicë boshnjake dhe kroate) në të cilat është shkruar se serbët kryen gjenocid, mbajtën Sarajevën nën rrethim. Nuk është e vërtetë dhe nuk do të studiohet këtu”, tha Dodik.

Dodik po mbështeste një njoftim nga ministri i Arsimit dhe Kulturës i Republikës Srpska, Dane Maleseviq, i cili tha se tekstet shkollore nga Federata do të ndalohen në Republikën Srpska nëse përfshihen paragrafë mbi rrethimin e Sarajevës gjatë luftës apo për vrasjet masive të boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995 nga forcat serbe.

Maleseviq e arsyetoi vendimin e tij duke cituar një marrëveshje të vitit 2002 të nënshkruar nga të gjitha ministritë e Arsimit në Bosnjë, e cila thotë se nuk do të ketë tema lufte në tekstet shkollore.

Megjithatë, në Federatë, historia për nxënësit e klasave të nënta, e miratuar për përdorim në të gjitha shkollat fillore në entitet, përfshin materiale mbi rrethimin e Sarajevës dhe gjenocidin në Srebrenicë.

“Fëmijët boshnjakë, të cilët studiojnë një grup lëndësh kombëtare etnike në Republikën Srpska, nuk do të përdorin tekste të tilla shkollore”, tha Maleseviq të hënën në një konferencë për shtyp.

“Ministria e Arsimit dhe Kulturës e Republikës Srpska po respekton vetëm marrëveshjen dhe rekomandimet e OSBE-së për fillimin e studimit të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në mënyrë që fëmijët të mos ngarkohen me këtë temë. Kjo është në interesin e tyre më të mirë dhe në interes të bashkëjetesës së shëndetshme në Bosnjë dhe Hercegovinë”, shtoi ai.

OSBE tha se nuk dinte asgjë për tekstet shkollore që flisnin për luftën dhe as nuk i kishte miratuar ato.

“Nuk mund të konfirmoj se cili është statusi i marrëveshjes së vitit 2002. Është e qartë se në arsim ka shumë politikë dhe ne duam të shohim më shumë gjëra pozitive, më shumë kompjuterë, shkolla në gjendje të mirë dhe më pak politikë”, tha Jonathan Moore, kreu i misionit të OSBE-së në Bosnjë, për televizionin N1.

Muhizin Omeroviq, një përfaqësues i prindërve të fëmijëve boshnjakë nga Konjevic Polje, një fshat në Republikën Srpska, që mësohen sipas “kurrikulës mësimore kombëtare” boshnjake, tha për faqen e lajmeve Klix se vendimi nuk erdhi surprizë.

“Ky është thjesht një vazhdim i ndalimit të studimit të gjuhës boshnjake dhe klasave kombëtare”, tha Omeroviq.

Ai po i referohej debatit të gjatë mbi përkufizimin zyrtar të gjuhës së folur nga boshnjakët në Republikën Srpska, e cila përkufizohet ndryshe nga Kushtetuta e Republikës Srpska dhe Kushtetuta shtetërore boshnjake.

Ndërkohë që kjo e fundit i përkufizon tre gjuhët zyrtare të vendit si boshnjake, kroate dhe serbe, Kushtetuta e Republikës Srpska aplikon një formulë paksa ndryshe, duke cituar se gjuhët zyrtare të entitetit janë ato të “popujve serbë, kroatë dhe boshnjakë”.

Ndryshimi është simbolikisht i rëndësishëm për boshnjakët, shumë prej të cilëve duan që gjuha e tyre të përkufizohet si “boshnjake”, sepse kjo do të ripohonte ekzistencën e një trashëgimie të përbashkët kulturore dhe historike në vend.

“Duke marrë parasysh situatën, mendoj se ata do të arrijnë t’i ndalojnë librat, sepse ne kemi luftuar për këtë çështje dhe për njohjen e gjuhës për katër vjet me radhë dhe nuk kemi zgjidhur ende asgjë”, tha Omeroviq.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, nxënësit kanë të drejtë të arsimohen sipas programit të tyre “kombëtar” (etnik), që do të thotë se ata studiojnë në gjuhën e tyre (boshnjake, serbe ose kroate) dhe disa lëndë mësohen ndryshe sipas përkatësisë së tyre etnike, siç janë feja dhe historia.

Disa shkolla në vend zbatojnë gjithashtu praktikën polemike të “dy shkolla nën një çati” – duke i ndarë nxënësit në klasa të ndryshme në të njëjtën ndërtesë bazuar në përkatësinë e tyre etnike, gjë që kritikët thonë se shkakton ndarje etnike.