Serbë e Shqiptarë Debatojnë Për Sportin e Ndikuar Nga Politika

Zyrtarë sportivë, komentatorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut kanë shprehur zhgënjimin e tyre se ndeshja futbollistike në mes të Serbisë dhe Shqipërisë ka tendosur ndjenjat në mes të dy popujve.

Zyrtarë sportivë, komentatorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut kanë shprehur zhgënjimin e tyre se ndeshja futbollistike në mes të Serbisë dhe Shqipërisë ka tendosur ndjenjat në mes të dy popujve.

NDËRLIDHUR

Në edicionin special të emisionit Tema, që është urë televizive mes Kosovës e Serbisë, të shfaqur në televizionin publik të Kosovës, debatues nga Beogradi dhe Prishtina kanë diskutuar për shkaqet që shtynë deri tek aktet e dhunshme në stadiumin e Partizanit, duke fajësuar tifozët serbë që ndeshjen e shndërruan në një konfrontim armiqësor.

Milosh Sharanoviq, komentator eminent i sportit në televizionin B92, ka thënë se të gjithë ata që kanë pritur se situata është normalizuar dhe qetësuar janë “befasuar me një ngjarje të pakëndshme në atë mbrëmje.”

“Në një mënyrë, nuk është se ka qenë e papritur që tensionet do të jenë më të larta krahasuar me ndeshjet tjera,” ka thënë Sharanoviq.

Ai tha se nuk mban në mend të ketë parë numër aq të madh të forcave policore në stadium dhe përreth tij sikur në atë mbrëmje; megjithatë, ndërhyrja e tifozëve në fushë e shkatërroi ndeshjen.

“Numri i tifozëve që vrapuan në fushë nuk ishte edhe aq i madh, por është e mjaftueshme nëse një apo dy kanë arritur dhe kjo nuk do të duhej të lejohej. Që nga ai moment, nuk ka mbetur asgjë nga kjo ndeshje,” shtoi ai.

Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë se ndoshta ka pasur mundësi që aktet e dhunshme të evitohen deri sa tifozët nuk u futën brenda në fushë.

“Në atë moment kur lojtarët dhunohen nga tifozët, nuk mund të konsiderohet më një lojë futbolli dhe është dashur të ndërpritet,” ka thënë Vokrri.

Ndeshja e parë ndonjëherë e zhvilluar në mes të Serbisë dhe Shqipërisë u desh të ndërpritej në minutën e 41 të ndeshjes.  Rezultati në atë kohë ishe i barabartë, 0 me 0.

Pasi një fluturake me simbole kombëtare të Shqipërisë fluturoi mbi qiellin në stadium, përplasja mes lojtarëve në fushë filloi dhe lojtarët shqiptarë janë sulmuar fizikisht nga tifozë serbë që pushtuan fushën.

UEFA ka paralajmëruar se më 23 tetor Komisioni i saj Disiplinor do të dalë me një vendim rreth këtij incidenti.

Në ndërkohë, Jasmina Lazoviq nga Forumi Rinor për të Drejtat e Njeriut nga Beogradi, ka treguar se kishte planifikuar që ndeshjen ta shikonte nga stadium së bashku me disa të ftuar të saj, shqiptarë nga Kosova dhe Lugina e Preshevës, por në fund kanë vendosur që të mos shkojnë duke e parë atmosferën jo të këndshme në rrugët e Beogradit para kësaj ndeshje.

“Përveç që nuk shkuam në stadium, mysafirët e mi dhe unë zgjodhëm që ndeshjen të mos e shikomë as në ndonjë kateteri, ashtu siç bëhet në vendet e regjionit dhe në Evropë.  Kështu që vendosëm që ndeshjen ta shohim nga banesa ime,” tregon ajo.

Në anën tjetër, Arlina Krasniqi, hendbolliste e përfaqësues së hendbollit të Kosovës, ka thënë se edhe pse ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë u kthye në dhunë, ajo pret që ndeshja në mes të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian të hendbollit, që pritet të mbahet në prill të vitit 2015, të kalojë pa shumë problem serioze.

“Nuk pres problem kur përfaqësuesja e Serbisë të vijë këtu (në Prishtinë).  Ne do t’i mirëpresim dhe nëse diçka e keqe ndodh, ne do të tentojmë t’i mbrojmë lojtaret e tyre, sepse kështu jemi ne sportistët,” ka thënë ajo.

Federata e Hendbollit të Kosovës është nga federatat e pakta në Kosovë që është bërë pjesë e garave evropiane.

Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, po ashtu ka folur për incidentin në ndeshje.  Sipas tij, Federata Shqiptare e Futbollit nuk duhet të fajësohet për fluturaken që mbante flamurin e Shqipërisë së Madhe.

Sipas tij, lojtarët shqiptarë bënë mirë që e kapën flamurin, sepse sias tij, ai është flamuri unë dhe ne kemi pasur këtë të drejtë.

17 Tetor 2014 - 10:45

Nektar Zogjani 17/10/2014 - 10:45
NDËRVEPRIMI0