Pamje nga një mbledhje e Senatit të UP-së - Foto: KALLXO.com

Senati Zgjedh Asistent të Fakultetit të Mjekësisë Personin me Dy Vepra Penale

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prishtinë akuzon 13 persona për vepra të ushtrimit të ndikimit, marrjes së ryshfetit dhe dhënies së ryshfetit.

Propozimi për të rizgjedhur Belajn ka ardhur në Senat nga Komisioni Recensues dhe Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë.

Prorektori Naser Sahiti të premten në mbledhjen e Senatit ka thënë se për lëndën Anatomi Patologjike janë propozuar dy asistentë në mesin e tyre edhe Esat Belaj.

Pas kësaj Belaj u zgjodh me shumicë votash nga Senati ndërsa askush nga senatorët nuk diskutoi për përfshirjen e tij në aktakuzë.

KALLXO.com ka raportuar për procesin gjyqësor ndaj Esat Belaj dhe personave të tjerë të akuzuar në këtë rast.

Sipas aktakuzës, Esat Belaj akuzohet se ka pranuar para në cilësinë e kryetarit të Organizatës Studentore “Reforma” dhe studentit senator për kryerjen e një provimi nga Valbona Jakupi studente e Fakultetit Ekonomik, ashtu që ka siguruar që në vend të saj të hyjë në provim një person tjetër, por i cili nuk e ka kaluar provimin.

Sipas aktakuzës, Belaj ngarkohet se nga 9 shtatori 2012 deri më 16 shtator 2012 si student senator duke shfrytëzuar ndihmën e të pandehurve Leonard Bytyqi dhe Albion Haxhijaha kërkoi në mënyrë të tërthortë dhe pranoi shumën e parave në vlerë prej 4500 eurosh.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtë shumë e kishte dhënë Amonda Orllati, po ashtu e akuzuar në këtë proces gjyqësor, me qëllim të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë në UP.

Belaj përpos marrjes së ryshfetit akuzohet edhe për ushtrim të ndikimit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Për ushtrim ndikimi së bashku me Belajn akuzohen edhe Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevludin Beqiri.

Sipas aktakuzës, nga korriku 2009 deri më janar 2012 këta të akuzuar kanë ushtruar ndikim mbi marrjen e vendimeve te personat zyrtar lidhur me regjistrimin e personave të ndryshëm në fakultete, sidomos në atë të mjekësisë, kanë kërkuar e në disa raste kanë pranuar dhurata të ndryshme në para në shuma 150, 200, 350, 400 e deri në 1400 euro.

Sipas aktakuzës veprat u kryen  përgjatë viteve 2009 dhe 2012 dhe kishin të bënin kryesisht për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.