Senati i UP Sot Voton Personelin Akademik të Konkursit të Vitit 2016

Në këtë mbledhje pritet të vendoset për zgjedhjen e personelit akademik nga konkursi i datës 24 nëntor 2016, si dhe angazhimi i personelit të jashtëm me honorar për semestrin veror 2016/2017 sipas propozimit të Këshillit të Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës nga konkursi i publikuar më 15 shkurt 2017.

Po ashtu anëtarët e Senatit të UP-së do të shqyrtojnë edhe disa vendime për kandidatë nga Fakulteti i Mjekësisë.

“Aprovimi i vendimit të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit lidhur me rastin e dr. Ilir Miftarit për zgjedhjen në thirrjen Asistent për lëndën e Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë sipas konkursit të datës 28 maj 2013. Shqyrtimi dhe vendosja në lidhje me vendimin e  Inspektoratit të Arsimit lidhur me ankesën e profesor Mentor Sopjanit – Fakulteti i Mjekësisë”, thuhet në rendin e ditës së Senatit të UP-së.

Po ashtu do të shqyrtohet vendimi i Inspektoratit të Arsimit lidhur me ankesën e Nita Kelmendit për konkursin e vitit 2012.

Si pikë tjetër e rendit të ditës është edhe emërimi i dy anëtarëve të Senatit për komisionin e përbashkët me KD-në dhe menaxhmentin e UP-së, për propozim ndryshimet e Statutit të UP-së.

Përveç këtyre, Senati i UP-së pritet të shqyrtojë edhe pika të tjera të rendit të ditës.