Senati i UP, 31 tetor 2017. Foto: Kallxo.com

Senati sot Vendos për Rregulloren për Avancim të Personelit të UP-së

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot mban mbledhjen e rregullt të Senatit ku pritet të shqyrtohen 12 pika të rendit të ditës.

Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet edhe miratimi i Rregullores për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Po ashtu në mbledhjen pritet të merret vendim për emërimin e Komitetit Etik për hulumtime shkencore në nivel të Universitetit.

Si pikë tjetër e rendit të ditës pritet të jetë edhe miratimi i kërkesave për ratifikim të punimeve të doktoratës për disa kandidatë të Fakultetit të Mjekësisë.

Senati pritet të votojë edhe për miratimin e temave dhe mentorëve për kandidatë në studimet e doktoratës sipas raportit të KQSD-së.

Përveç këtyre pikave, Senati të enjten pritet të shqyrtojë edhe disa vendime që kanë ardhur nga gjykata themelore dhe Gjykata e Apelit për regjistrim të disa kandidatëve në studimet e doktoratës të cilët kanë aplikuar në vitin akademik 2013/2014.

Po ashtu pritet të shqyrtohet edhe raporti i Komisionit për ankesa dhe parashtresa të Senatit dhe ankesat e vendimeve të Inspektoratit të Punës për kandidatin Mufail Salihaj.

Ndër pikat e rendit të ditës, Senati do të shqyrtojë edhe angazhimin e profesorëve vizitorë në Fakultetin e Arteve.