Mbledhja e Senatit | Foto: KALLXO.com

Senati Kthen Mbrapsht Ankesën e Gruas së Dekanit

Në mbledhjen e sotme Senati i Universitetit të Prishtinës ka kthyer në Këshillin e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës ankesën e Mimoza Dugollit.

Mimoza Dugolli që është bashkëshortja e Bujar Dugollit, dekanit të Fakultetit Filozofik në vitin 2016 kishte aplikuar për avancim në profesoreshë-asistente, por  Komisioni i Studimeve  atëherë i kishte lëshuar vendim se nuk ka plotësuar kriteret për këtë avancim në bazë të Statutit të UP-së.

Pastaj Mimoza Dugolli ishte ankuar në Inspektoratin e Punës, ndërsa kjo ankesë u shqyrtua sot në mbledhjen e Senatit.

Senati vendosi sot që ankesën e profesoreshës Dugolli ta kthejë në Këshillin e fakultetit.

Naser Sahiti, prorektori në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike gjatë shqyrtimit të ankesës tregoi se sa punime ka profesoresha Mimoza Dugolli.

“Kjo kandidate është shqyrtuar edhe ne mbledhjen e Komisionit të Studimeve. Komisioni ka konstatuar se ajo ka 4 punime nga konferencat dhe asnjë punim në Skorpus”, tha Sahiti.

Sahiti tregoi se Dugolli pas përfundimit të konkursit për avancim ka dërguar një dokument që ka publikuar në një revistë.

Bashkë me ankesën e Dugollit u shqyrtuan edhe rastet e Arianit Marajt dhe Bashkim Kastratit.

Senatorja Jehona Luzhaku në mbledhje kërkoi dokumente, e jo vetëm diskutim.

“Në këto tri raste që po i trajtojmë, është mirë me na dhanë dokumentacione, me ditë çka ka thanë Inspektorati i Punës, i Arsimit etj. Ka qenë mirë me na tregu të gjitha, sepse fjalët mbesin e me i pasë dokumentet kish më qenë mirë”, tha Luzhaku.

Edhe senatorja tjetër Sabrije Osmani tha se nuk do të votojë për diçka të panjohur.

“Mos na obligoni të votojmë sot për diçka që nuk jemi të sigurt, por ta shtyjmë për një ditë tjetër. Unë nuk votoj për diçka që nuk e di”, tha Osmani.

Faton Berisha prorektor për kërkime shkencore tha se asnjëri nga tre kandidatët nuk ka plotësuar kriteret për avancim.

“Asnjë nga këta kandidatë që janë ankuar nuk i kanë plotësuar kushtet për avancim, por ne duhet respektuar vendimin e Inspektoratit të Punës”, tha Berisha.

Senati refuzoi ankesat e profesorëve Arianit Maraj e Bajram Kastrati.

Në mbledhjen e sotme Senati aprovoi edhe kriteret për regjistrimin e doktoratave.

http://kallxo.com/miraton-kriteret-per-regjistrim-ne-doktorate/

KALLXO.com  e ndoqi live mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës.