Rexhep Selimi

Selimi: S’ka Ushtri me Këtë Qeveri

Rexhep Selimi, deputeti i “Vetëvendosjes” që doli në një konferencë për shtyp, pasi Presidenti Hashim Thaçi pezulloi nismën për transformimin e FSK-së me ndryshime ligjore, tha se me këtë qeveri Kosova nuk do të ketë ushtri.

“Për aq sa kemi këtë pushtet, për aq sa kemi këtë qeveri, Kosova nuk do të ketë ushtri.jo për shkak se këta mund apo nuk mund ta bëjnë, por për shkak se duket që është kusht i koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe dhe për shkak se mungon vullneti politik i kësaj qeverie për ta bërë Kosovën me ushtri”, tha Selimi.

Selimi për këtë zhvillim e bëri fajtor Presidentin Thaçi i cili në ditët e para të marsit nisi iniciativën për transformimin e FSK-së pa ndryshime kushtetuese, duke tërhequr mosmiratimin e NATO-s, SHBA-së dhe vendeve të fuqishme europiane.

Selimi në konferencë tha se tërheqja e Thaçit ishte pjesë e një skenari që synon çështjen e krijimit të ushtrisë së Kosovës ta dërgojë në bisedimet e Brukselit.

“Tërheqja duket se ka qenë pjesë e skenarit. Kjo iniciativë paska pas nisur për të dështuar. Kemi rrezikuar që çështja e ushtrisë së Kosovës të shkojë ose po shkon në tryezën e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, gjë që edhe kjo duket pjesë e një skenari të parapërgatitur”, tha Selimi.

Deputeti i “Vetëvendosjes” tha se nuk pret që Thaçi të japë dorëheqje, ashtu siç kishte paralajmëruar nëse deputetët nuk do ta votonin projektligjin për transformimin e FSK-së të iniciuar nga ai.

“Ne e dimë shumë mirë se dy gjëra do të ndodhin. Ai nuk do ta bëjë këtë dorëheqje dhe njëkohësisht ai nuk do ta pranojë që ka dhënë këtë premtim për dorëheqje”, tha Selimi.

Ai deklaroi se më mirë do të ishte që Thaçi të largohej nga Zyra e Presidentit.

“Në vend që të mbetemi pa këtë person në Zyrën e Presidentit, ne po mbetemi pa ushtri. Do të duhej të ishte e kundërta-të ishim pa këtë njeri në këtë zyrë dhe me ushtri në Kosovë”, tha Selimi.

Ai u pyet se çfarë do të bënte “Vetëvendosja” sikur të ishte në situatën në të cilën ndodhet Thaçi, kur Lista Serbe është kundër ndryshimeve kushtetuese për transformim të FSK-së.

Selimi tha se po të ishte dhe kur do të jetë “Vetëvendosja” në pushtet, nuk do të ketë subjekte si Lista Serbe.

Tërheqja e Hashim Thaçit nga transformimi i FSK-së me ndryshime ligjore u bë pjesë e krypometrit, produktit të KALLXO.com me të cilin vlerësohet vërtetësia e deklaratave publike.