ARKIV: Ceremonia e varriimit të heroit të Kosovës Enver Zymberit - Foto: Facebook

Selimi: Policia nuk Kishte Plan për Ndërhyrjen në Veri

Pesë vjet më parë, në një operacion të njësive speciale të Policisë për të marrë nën kontroll pikat kufitare në veri të vendit qe vrarë polici Enver Zymberi, i cili nga presidentja Atifete Jahjaga qe dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Mënyra se si u zhvillua operacioni, gjatë të cilit ra në krye të detyrës pjesëtari i forcave speciale, vazhdon të diskutohet në Kosovë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se drejtuesit qeveritarë e ndërmorën operacionin e 25 korrikut 2011 pa pasur një plan të studiuar operacional.

“Atë ditë, Qeveria e Kosovës, saktësisht kryeministri i atëhershëm dhe ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme bënë një hap jo thjesht të pastudiuar por një hap që do të duhej ta merrnin mbështetur mbi plane operacionale. Por, këta kanë bërë të kundërtën”, tha Selimi në një prononcim për KALLXO.com.

Se Qeveria nuk ka pasur një plan për këtë operacion, deputeti Selimi përmend deklaratën e ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, i cili, sipas tij, gjatë raportimit para Komisionit për Siguri kishte thënë se “nuk kemi pasur kohë ta bëjmë planin”.

Sipas tij, Policia e Kosovës është gjendur në një situatë para bandave kriminale dhe rezultati ishte vrasja e policit Enver Zymberi.

Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Nuredin Ibishi, tha se nuk do të merret me përgatitjet paraprake të Policisë për aksionin e 25 korrikut 2011, pasi që nuk kanë pasur qasje në këtë aspekt.

Por, ai bën thirrje që institucionet të jenë të përkushtuara për vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit dhe të sigurohet siguria për qytetarët, për çka, sipas tij, ra edhe Enver Zymberi.

Deri më tani për vrasjen e Enver Zymberit janë akuzuar gjashtë persona. Ndaj katër prej tyre janë zhvilluar vetëm dy seanca. Prej tyre dy janë liruar por rasti i tyre është kthyer në rigjykim, e për dy të tjerët Gjykata e Apelit do të vendos më 3 gusht të këtij viti. Ndërsa, dy të tjerë janë në arrati.

EULEX-i Ngre Aktakuzë për Vrasjen e Enver Zymberit

E për nder të përvjetorit të rënies së Enver Zymberit, Policia ka planifikuar të organizojë një ceremoni përkujtimore, e cila do të fillojë nesër nga ora 10:00, me ç’rast ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni dhe drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Shpend Maxhuni, do të vendosin kurora me lule te lapidari i heroit në kompleksin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.

Më pas, zyrtarët do të bëjnë homazhe te varri i Enver Zymberit në Dubovc të Vushtrrisë, e më pas do ta vizitojnë familjen e tij.

Lapidari i Enver Zymberit në Ditën e Policisë