Foto: Ilustrim

Sekuestrohen Tri Armë në Suharekë e Prizren

Policia e Rajonit të Prizrenit ka njoftuar se dje e sot ka sekuestruar tri armë, të mbajtura ilegalisht nga qytetarët.

Sipas njoftimit të Policisë, hetues policorë të Stacionit Policor në Prizren pasi që kishin siguruar informacione të besueshme se një i dyshuar nga fshati Zhur kishte në posedim dy armë të gjata e kanë ftuar të paraqitet ne stacion.

Gjatë intervistës, i ballafaquar me provat, i njëjti ka treguar se armët i mban të fshehura në stallë.

Krim-teknikët e kanë sekuestruar: një pushkë gjysmë automatike  dhe një pushkë gjahu.

Ndërkaq, rasti i dytë është zbuluar sot në mesnatë nga policët  e Trafikut Rajonal në një pikë kontrolli në fshatin Grejkoc.

Një automjet është ndaluar për kontroll  dhe në çantën e krahut tek pasagjeri është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e llojit “ZORAKI M 906 B” me 4 fishekë të kalibrit 7.65mm.

Për të dy rastet është informuar prokurori i shtetit, i cili ka sugjeruar inicimin e rasteve, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.