Sejdiu: Disa nga Veturat është Dashur të Shiten për Hekur

Deputeti Korab Sejdiu në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për ndotjen alarmante në Prishtinë, e konsideroi të korruptuar kontrollin teknik të makinave.

“E vërteta është që veturat kontribuojnë në ndotje po a ndalet najkush me mendu pse? Sepse kontrollimi teknik i veturave është procedurë e kotë vetëm sa për t’i rrjepur qytetarët dhe rrënjësisht e korruptuar”, tha Sejdiu.

Deputeti i pavarur më tutje konstatoi se sikur ky proces të funksiononte si duhet, moti disa nga automjetet që qarkullojnë në Kosovë do të ishin shitur për hekur.

“Kemi vetura autobusë e kamionë që qarkullojnë lirshëm në rrugët tona edhe pse ish desht moti të shiten për hekur”, tha Sejdiu.

Ai fajin për këtë gjendje ua la qeverisë dhe kompanive të sigurimit të automjeteve.

“E kush e ushqen këtë aferë korruptive? Ekzekutivi ynë i paaftë për të mbikëqyrë zbatimin e ligjit, për këtu edhe administratën militante të zgjedhur sipas përkatësisë partiake e jo sipas meritës. Shtytës janë edhe një rrjet me indicie kriminaliteti i kompanive të sigurimit, industri që me vite eviton kolapsin total vetëm duke u futur edhe më thellë në afera të dyshimta dhe duke abuzuar me qytetarin e Kosovës”, tha Sejdiu.

Ai ironizoi me fjalët e deputetëve tjerë në Kuvend, duke thënë se po çuditet se si ajri në Kosovë nuk është si në Zvicër.

“Me gjithë këta ekspertë çuditem se si Prishtina e Kosova sot nuk e kanë ajrin e Zvicrës a Zelandës së Re. Ekspertët e vërtetë të kësaj lëmie kanë potencuar se ndotësit kryesorë janë kryesisht KEK-u në masë të madhe dhe kontribuues më të vegjël janë veturat dhe djegia e thëngjillit për nevojat e amvisërisë”, tha Sejdiu.