Sejdiu Akuzon Abrashin për Shpifje, e Fton në Debat

Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje kandidatit të Lidhjes Demokratike për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, të ballafaqohet në debat me kandidatin e Vetëvendosjes, Shpend Ahmetin.

Ish- nënkryetari i komunës, shfrytëzoi ambientet komunale për një konferencë ku renditi pikat në të cilat ai beson që Abrashi ka shpifur.

Sejdiu deklaroi se Abrashi në dy paraqitje televizive gjatë fushatës  ka bërë 12 shpifje për punën e Komunës së Prishtinës.

“Në mungesë të diturisë e programit, në të gjitha intervistat që ka marrë pjesë deri më tash nuk ka thënë asgjë tjetër përveç se ka shpifur” tha Sejdiu.

Sipas tij janë të pasakta deklaratat e Abrashit rreth humbjes së buxhetit prej 80 milion euro, komentet rreth shpenzimeve operacionale, mundësisë për rritjes të transparencës, ikjes e bizneseve në komunat e tjera, vjetërsisë së autobusëve, numrit të punëtorëve arsimorë që udhëtojnë nga komunat e tjera, linjës së aeroportit, deklarata rreth pamundësisë së ish-ministrit Advullah Hoti për të nënshkruar për autobusët pa aprovimin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës dhe se Komuna e Prishtinës nuk ka bërë ndonjë punë të mirë në ndërmarrjen banesore.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Sejdiu po ashtu nuk e përjashtoi se do të ketë padi kundër Abrashit.

“E këto shpifje po shpresoj që sot e tutje nuk do t’i përmendë më sepse e vetmja rrugë që mbetet është padia epo besoj që disa edhe do padisin” tha ky i fundit duke iu referuar korporatës Iveco nga e cila janë blerë autobusët nga Komuna e Prishtinës.