Kadri Veseli dhe Behgjet Pacolli në promovimin e Deklaratës së Pavarësisë si libër, Foto: 21Media

Seanca e Pavarësisë dhe Deklarata e Saj Promovohen në Libra

Detajet e seancës kur u shpall pavarësia, fjalimet dhe gjithçka tjetër rreth asaj dite,  Deklarata e Pavarësisë së Kosovës dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë promovuar sot në libra.

Në këtë promovim merrnin pjesë figura të larta të shtetit të Kosovës, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe figura të njohura të bashkësisë ndërkombëtare që kanë ndihmuar Kosovën drejt procesit të pavarësisë.

Me këtë rast ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i falënderoi ata për kontributin e dhënë për arritjen e  Pavarësisë së  Kosovës.

Ai u shpreh se shpallja e pavarësisë është njëra nga ngjarjet e rëndësishme të jetës së tij. Ai shtoi se ky libër kishte qenë i nevojshëm sepse përmban detajet e asaj seance, fjalimet dhe gjithçka tjetër rreth asaj dite. “Deklarata e Pavarësisë” dhe libri tjetër i promovuar sot është edhe certifikata e Pavarësisë së Kosovës siç e quan Pacolli, ndryshe i titulluar si “Kosovos’s Independence”, nga GJND-ja.

Edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli ka treguar përshtypjet e tij për librat, duke i cilësuar si libra të jashtëzakonshëm për historinë e popullit tonë.

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përmes një fjalimi, ka shpalosur mirënjohjen e tij për popullin  e Kosovës  duke e konsideruar atë si popull stoik e të pamposhtur.

Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se është shkas i mirë që Kosova ta ketë dokumentin e asaj dite të rëndësishme.

Stipe Mesiq, ish kryeministër i Kroacisë, pavarësinë e Kosovës e sheh si diçka të merituar. Ai ka përshëndetur në veçanti ish presidentin e Shqipërisë Sali Berishën dhe ish kryeministrin turk Ahmet Davotuglu që kanë ndihmuar popullin e Kosovës që ta fitojë lirinë.

Ish-shefi i UNMIK-ut, Joachim Rucker ka shprehur kënaqësinë për ftesën që i është bërë për të marrë pjesë në shënimin e dhjetëvjetorit të shënimit të pavarësisë së Kosovës, duke thënë se gjatë këtyre viteve është arritur një progres i theksuar.

Ish-kryeministri turk, Ahmet Davutoglu ka thënë se stabiliteti i Kosovës është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit./21Media