SBASHK-u Shpall Grevën Edhe në Universitete

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka njoftuar se nesër tërë arsimi i Kosovës në grevë dyorëshe.

Siç njofton SBASHK-u, greva do të mbahet në dy orët e para të mësimit të paradites dhe në dy orët e para të mësimit të pasdites në të gjitha shkollat e Kosovës, kurse universitetet do të jenë në grevë nga ora 10 deri në orën 12.

”Duke e parë se pas grevës njëorëshe në tërë sistemin arsimor,  kishte reflektim të pamjaftueshëm të Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave  të të punësuarve në arsimin e Kosovës,  SBASHK-u vazhdon me veprimet sindikale, ashtu si është vendosur në mbledhjen e jashtëzakonshme  të Këshillit Drejtues”, njofton SBASHK-u.

Këshillet greviste, që janë formuar me kohë, në shkolla e njësi akademike siç bëhet e ditur në komunikatë do të kujdesen për mbarëvajtjen e grevës dyorëshe dhe do t’i mbajnë të informuar këshillet greviste komunale, gjegjësisht këshillin grevist të Universiteteve, kurse këta Këshilla do të jenë në komunikim me Këshillin Qendror grevist që është në selinë e SBASHK-ut.

”Edhe për kundër vlerësimit të gabueshëm të apelit tonë drejtuar prindërve nga ana e KMDLNJ-së dhe ca individëve,  edhe sot u drejtohemi prindërve e nxënësve me apel, jo për t’u bërë pjesë e grevës sonë, por për hir të sigurisë së nxënësve  të mos nisen për në shkolla  gjatë kohës sa zgjatë greva, por të jenë në institucionet  shkollore për të nisur mësimin në orën e tretë sipas orarit. JU kujtojmë se kur ka grevë nuk ka mësim”, bëhet e ditur më tutje në komunikatën e SBASHK-ut.