Konferenca e SBAShK-ut | Foto: KALLXO.com

SBAShK-u Kundër Testimit të Mësimdhënësve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës ka thirrur sot një mbledhje të jashtëzakonshme ku u diskutuan disa pika por theks më i veçantë iu dha paralajmërimit të ministrit të Arsimit Arsim Bajrami për testin me shkrim të mësimdhënësve në tetor të këtij viti.

Rrahman Jasharaj kryetar i SBASHK-ut tha se mësimdhënësit e kundërshtojnë testimin që parashihet të mbahet në tetor.

“Ne edhe në takimin me ministrin duke i ditur opinionet që i kemi pasur edhe atëherë nga mësimdhënësit jemi shprehur në parim kundër testit me shkrim. Kemi dhënë kontribut që të bëhet një infrastrukturë ligjore për përformancën e mësimdhënësve, për monitorimin në orë, për vizitat e njerëzve profesionalë për t’u dhënë edhe lëvdata edhe kritikë,” tha Jasharaj.

Sipas tij, Kryesia e SBASHK-ut është kundër testimit sepse ky konsiderohet si degradim i punës së tyre dhe degradim i titujve që i kanë.

“Ministria nuk ka kompetencë të vlerësojë dijen e mësimdhënësit se këtë dije e kanë vlerësuar profesorët e universiteteve gjatë gjithë viteve të mësimdhënies,” tha Jasharaj.

Njëri nga mësimdhënësit pyeti se cili është dëmi i këtij testi me shkrim, por u kundërshtua fort nga të gjithë kolegët e tij, në fund ai mori përgjigje nga Ymer Ymeri, përgjegjës për financa e administratë në SBASHK,

“Ne edhe ministrit i kemi thënë se SBASHK-u është për ta vlerësuar performancën e secilit mësimdhënës, por me e vlerësuar në baza ligjore të cilat janë në fuqi aktualisht. E kemi pyetur ministrin se  a ka bazë ligjore me i shti në test arsimtarët, ka thënë jo, por do ta përgatiti,” tha Ymeri.

Ai tha se ky vlerësim nuk do të jetë real sepse pyetjet e testeve po dalin gjithmonë edhe në rastin e testimit të nxënësve.

Më 1 korrik u certifikuan 76 koordinatorë dhe drejtorë nga 36 shkolla të Kosovës për zhvillim të cilësisë.

http://kallxo.com/certifikohen-76-koordinatore-per-cilesi-ne-arsim/

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për sfidat eventuale nga zbatimi i kurrikulit të ri, detyrave konkrete të SBASHK-ut në përpilimin e tekstit të kontratës së re kolektive dhe në fund edhe për detyrat konkrete aktuale të kryetarëve të kryesive në nivele komunale.