Konferenca e SBASHK-ut | Foto: KALLXO.com

SBAShK-u Kërkon Mëditje për Mësimdhënësit që Shkojnë në Ekskursione

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, SBAShK, ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe organet komunale për arsim që mësimdhënësve të mos u cenohen apo t’u paguhen ditët e pushimit, përkatësisht vikendet.

Në një komunikatë, SBAShK precizon se mësimdhënësve do të duhej t’u takonte mëditje për pjesëmarrje në ekskursionet e organizuara me nxënës jashtë vendit si dhe angazhimeve për trajnime apo seminare në vikende.

“Edhe DKA-të, si punëdhënës, edhe MAShT duhet ta dinë para këtij urdhri të prerë se edhe Ligjet, po edhe Kontrata Kolektive e Arsimit të Kosovës, e precizon se në arsimin parauniversitar zbatohet java 5 ditëshe dhe se askush nuk ka të drejtë  t’ua mohojë të drejtën e dy ditëve të pushimit të punësuarve në arsim, bile jo pa pajtueshmërinë e tyre”, thekson Sindikata.

Ata kanë theksuar se mësimdhënësit do të duhej të trajtoheshin njëjtë me zyrtarët e lartë shtetërorë që marrin mëditje për udhëtime zyrtare.

SBAShK po ashtu kritikoi Ministrinë për mbajtjen e trajnimeve në ditët e vikendit duke propozuar një ditë të lirë të javës së punës për mësimdhënësit kur do të mund të mbaheshin trajnimet edhe për zbatimin e kurrikulës së re.

Sindikata momentalisht është në proces gjyqësor ndaj shumicës së komunave të Kosovës për shkak se konsiderojnë se këto të fundit nuk po zbatojnë obligimet e Kontratës Kolektive të nënshkruar në prill të këtij viti.

http://kallxo.com/sbashk-u-fiton-gjyqin-e-pare-ndaj-komunave-per-kontraten-kolektive/