SBASHK Kërkon Seriozitet nga Qeveria, Paralajmëron Protestë Masive

Në fazën e dytë të grevës së përgjithshme, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës (SBASHK), po kërkon plotësimin sa më të shpejtë të kërkesave të mësimdhënësve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj vizitoi sot kryesindikalistin e universiteteve të Kosovës, Bardh Bardhi për të parë se si po shkon greva dy orëshe.

Bardhi me këtë rast tregoi për nivelin e pjesëmarrjes së universiteteve publike në grevë.

“Universiteti sikur herën e kaluar në grevën një orëshe i është bashkuar SBASHK-ut dhe kemi respektuar vendimet e Këshillit Drejtues. Sot prej shtatë universiteteve publike, pesë janë anëtare të SBASHK-ut dhe të pesta janë në grevë dy orëshe prej orës 10 deri në orën 12. Kërkesat tona janë të ngjashme me SBASHK”, tha Bardhi.

Në anën tjetër sot në orën 15 parashihet një takim në mes të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj u shpreh optimist për këtë takim duke uruar për reflektim nga Kryeministri lidhur me kërkesat e tyre përndryshe sipas tij parashihen veprime radikale nga ana e sindikatës.

“Po uroj që qeveria të ketë shumë seriozisht dhe të fillojë me veprime konkrete. Uroj që në mbledhjen e qeverisë të shkojë ligji për mësimdhënësit e vitit të 90-ta.Uroj që të ndodhë kështu, nëse gjërat nuk shkojnë si duhet, Vendimet do të jenë për grevë në kohë të pacaktuar, madje ka kërkesa dhe një veprim tjetër sindikal për protesta qoftë në nivele komunale, qoftë një protestë masive”, tha Jasharaj

Javën e kaluar, punëtorët e arsimit nisën grevën një orëshe dhe këtë javë vazhduan me grevë dy orëshe pasi nuk pati lëvizje nga qeveria lidhur me kërkesat e tyre që përfshijnë miratimin e ligjit për njohjen e statusit për mësimdhënësit e viteve 90-ta, respektimi i kontratës kolektive e të tjera…