Rrahman Jasharaj - Foto: KALLXO.com

SBASHK ‘Kërcënon’, me Bojkotimin e Testit ‘PISA’

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës në Kosovë ka paralajmëruar për një grevë të pacaktuar e cila sipas tyre vë në rrezik edhe mbajtjen e testit PISA.

SBASHK-u kishte mbajtur një grevë një ditëshe më 12 mars duke kërkuar miratimin e Ligjit për Punëtorët në Arsim të Viteve 90-ta.

Pasi deri më tani nuk ka pasur lëvizje në atë drejtim SBASHK ka paralajmëruar se më datë 13 prill fillon greva pa afat dhe kjo mund të rezultojë me mosmbajtjen e Testit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA).

“SBASHK-u duke parë se  përveç deklaratave të Ministrave gjegjës dhe të institucioneve ende nuk as edhe një veprim konkret,  lëshon këtë alarm  me kohë  drejtuar Qeverisë, institucioneve dhe opinionit të gjerë që të angazhohen që tani  në realizimin e kërkesave të anëtarësisë sonë e të mos presin që 13 prilli të na gjejë në këtë situatë ngase  koha po shkon dhe le ta dinë të gjithë  se kur ka grevë nuk ka mësim, por nuk ka as test PISA”, thuhet në njoftim.

Përveq miratimin të këtij ligji SBASHK ka edhe një varg kërkesash tjera për të cilat po kërkojnë zgjidhje nga pushteti qëndror dhe lokal

Lidhur me këtë alarm të bërë sot, SBASHK-u bëri thirrje që reagimet e opinionit të drejtohen ka institucionet e jo nga ata lidhur me grevën.

Këtë alarm, që ka qëllimin më të mirë, përveç institucioneve , le ta kuptojnë edhe  disa  “vajtojca” dhe opinioni i gjerë dhe të orientojnë angazhimet e tyre dhe reagimet ndaj institucioneve duke kërkuar që çështjet të zgjidhen që tani e të mos pritet 13 prilli sepse  gjërat si janë tani, kjo datë do të shënojë fillimin e grevës së përgjithshme në kohë të pacaktuar  në tërë sistemin arsimor të Kosovës”, përfundon njoftimi.