Foto: KALLXO.com

SBASHK i’a Rikujton Ministrit se Nuk Pranojnë Testim të Mësimdhënësve

SBASHK konsideron se vizitat e inspektoratit profesional të arsimit në shkolla, mund të jenë më efektive se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve përmes testit.

Në një intervistë për KALLXO.com, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë, Rrahman Jashari foli lidhur me kërkesat që kjo sindikatë i ka nga qeveria dhe pakënaqësitë që sipas tyre mund të qojnë në grevë.

Jashari komentoi deklaratat e Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi lidhur me vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.

Ditë më parë, Ministri kishte paralajmëruar se po planifikon një vlerësim të mësimdhënësve, megjithëse jo në mënyrën klasike të testimit.

Megjithatë, SBASHK konsideron se ‘testimi’ ,i vetëm i mësimdhënësve do të mund të bëhej përmes kontrollave të mësimdhënësve.

“SBASHK-u e ka thënë  dhe qëndron kategorik  në vendimin se test me shkrim për të testuar njohuritë e mësimdhënësve nuk do të ketë. Ne kemi propozuar dhe kërkojmë që Ministria e arsimit të nis me vizitat e inspektorëve profesional në për shkolla dhe të monitorojë nga afër e në klasë punën  arsimore e edukative  me nxënës të  secilit mësimdhënës dhe bashkërisht të evitohen dobësitë eventuale”, tha Jashari për KALLXO.com.

Sipas tij, SBASHK nuk do ti merrte në mbrojtje mësimdhënësit që konstatohen të dobët nga inspektorati.

Jashari, në këtë intervistë po ashtu ka ripërsëritur qëndrimin e sindikatës lidhur me rritjen e pagave të mësimdhënësve që sipas tyre është shumë e ulët.

“Ne në kuadër të delegacionit të BSPK-së jemi takuar me Kryeministrin të shtunën e kaluar  dhe është ngritur edhe çështja e ngritjes së paralajmëruar të Qeverisë për pagat vetëm 4.6 %. Ne e kemi kundërshtuar këtë  propozim sepse është tepër i ulët dhe nënçmues, aq më shumë  kur dihet se nga viti 2014 në  arsim e në tërë sektorin publik nuk ka pasur as edhe një rritje”, konstatoi ai.

Ai nuk përjashtoi grevat e përgjithshme si hap i fundit lidhur me pakënaqësitë e tyre.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me deklaratat e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj lidhur me mundësinë e rritjes së pagave për mësimdhënësit dhe të gjithë sektorin publik.

http://kallxo.com/haradinaj-injoron-kercenimet-e-mesimdhenesve-per-greve/