Veteranë të mbledhur para ndërtesës së Parlamentit të Federatës gjatë një proteste në prill . Foto arkiv: BIRN.

Sarajeva Përgatitet për Protesta të Reja të Veteranëve

Me qindra njerëz të pakënaqur nga pjesë të ndryshme të Bosnjës pritet të mbërrijnë në Sarajevë sot, për t’u bashkuar me më shumë se 300 veteranë lufte të cilët kanë organizuar protesta përpara ndërtesës së Qeverisë në entitetin e Federatës për dy ditë.

“Politikanët boshnjakë po luajnë duke rritur pakënaqësinë publike dhe rrezikojnë një kryengritje të re dhe të dhunshme shoqërore, siç ishte ajo që pamë në vitin 2014”, tha një diplomat i lartë perëndimor për BIRN.

Ai po i referohej valës së protestave të shkurtit 2014 që u përhapën në të gjithë vendin pasi qytetarë të irrituar dhe huliganë u bënë të dhunshëm, duke sulmuar Policinë dhe duke sulmuar dhe djegur një sërë ndërtesash qeveritare dhe ndërtesa partish politike.

Protestat e fundit nga veteranët e luftës filluan të hënën pasi disa dhjetëra veteranë u nisën nga vendlindjet e tyre drejt ndërtesës së Qeverisë së Federatës në Sarajevë.

Lëvizja u rrit pasi dhjetëra veteranë të tjerë lufte erdhën nga pjesë të ndryshme të Bosnjës për të shprehur pakënaqësitë e tyre për statusin e tyre të dobët, si edhe për situatën përgjithësisht të dobët ekonomike dhe sociale në Bosnje dhe Hercegovinë.

Demonstruesit, të cilët nuk përfaqësojnë asnjë shoqatat e veteranëve të luftës, deri më tani kanë refuzuar të negociojnë me Qeverinë e Federatës apo me ndonjë nivel tjetër të Qeverisë dhe kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë në rrugë derisa kushtet e tyre të plotësohen.

Ata kërkojnë ngritjen e një regjistri të vetëm të veteranëve të luftës, në të cilin nuk do të përfshihen me mijëra veteranë të dyshuar si të rremë që janë futur në sistem gjatë dy dekadave të fundit për të përfituar përfitime sociale.

Veteranët gjithashtu kërkojnë pension minimal mujor prej së paku 326 markash boshnjake (165 euro) për veteranët e papunë.

Zyrtarë të entitetit të Federatës të martën u përpoqën vazhdimisht të takoheshin me përfaqësues të tyre, por ata refuzuan çdo komunikim.

Në vend të kësaj, zyrtarët qeveritarë u takuan me përfaqësues zyrtarë të shoqatave të veteranëve. Megjithatë, ata gjithashtu dukeshin të paaftë për të kontrolluar apo ndikuar te demonstruesit, tha një zyrtar i Qeverisë për BIRN, duke folur në kushte anonimiteti.

Ai tha se Qeveria druhej se protestat mund të përshkallëzoheshin dhe të bëheshin të dhunshme, pjesërisht për shkak të motit të nxehtë dhe pjesërisht sepse ndërsa Qeveria mund të përmbushë kërkesën e parë, ajo nuk mund të përmbushë kërkesën e dytë, pasi kjo do të kërkonte edhe 130-140 milionë euro shtesë çdo vit, të cilat Qeveria nuk i ka.

Të gjitha nivelet administrative në Bosnje përballen me një krizë likuiditeti dhe varen nga huaja komerciale pasi programi i fundit i FMN-së për Bosnjën u pezullua në mënyrë efikase, pasi qeveritë nuk arritën të përmbushnin kushtet e FMN-së.

Protestat e fundit në Sarajevë, protesta e lajmëruar së fundmi nga punonjësit e hekurudhës në Republikën Srpska, si edhe protestat e planifikuara nga pensionistët tregojnë mundësinë në rritje për trazira sociale në vendin e ndarë thellësisht.

Bllokimi politik i ka lënë qeveritë në nivel shtetëror dhe në entitetin e Federatës pa mbështetje parlamentare, gjë e cila ka bllokuar si reformat ashtu edhe programin e FMN-së dhe ka bllokuar procesin e pranimit të Bosnjës në BE.

Qeveria në Republikën Srpska po funksionon ende zyrtarisht. Megjithatë, situata ekonomike dhe sociale në entitet është edhe më e keqe sesa në Federatë për shkak të asaj që shihet gjerësisht si qeverisje joefikase dhe e korruptuar.